Kontrolli i para një jave në shtëpinë e Erion Veliajt dhe në zyrën e bashkëshortes së tij, të cilës iu sekuestrua celulari nuk ka mbetur vetëm në kuadër të familjes. Nga vendimi i gjyqtares Atalanta Zeqiri, në bazë të kërkesë së prokurorit të SPAK, Olsi Dado rezulton shumë më tepër sesa është thënë në publik. Urdhri për kontrollin e banesës nuk ka ardhur, as si pasojë e hetimit të dosjes së inceneratorit të Tiranës, as nga ajo e 5D. Kryebashkiaku i Tiranës po hetohet për korrupsion, pra për dyshimet se përmes montimit të një skeme të komplikuar financiare, nga ato që Altin Dumani i etiketon si “krime intelektuale”, ai ka përfituar duke shfrytëzuar pushtetin e tij në bashki.
Dhe hipoteza që ngrihet është ajo se ky korrupsion i dyshuar, ka lidhje me personazhin kontrovers Elman Abule. Pak i njohur për publikun, ky njeri, që disa e etiketojnë si biznesmen dhe të tjerë si të lidhur me trafikanntët, njihet si një mik i afërt i Veliajt. Prej kohësh në media qarkullon e vetmja foto e tij që ekziston (Ketu poshte), ku duket në krahë të kryebashkiakut, në aeroportin Fiumicino të Romës. Nga veshja ngjan sikur ka të bëjë me një udhëtim qejfi.
Emri i tij bëri bujë në qershor të këtij viti, kur SPAK shpalli se kishte sekuestruar pasuri me vlerë rreth 50 milionë euro (shoqëri tregtare, dyqane, apartamente e vila), të dyshuara si pastrim parash. Aty u tha për herë të parë se Abule kishte edhe shtetësi belge madje dhe se kishte bërë më parë burg në këtë vend, për trafik narkotikësh.
Pra, këtij personazhi kaq kontrovers dhe të njohur për prokurorët i është bërë kontroll banese ku gjendej bashkëshortka dhe i janë sekuestruar objekte që e lidhin veprimtarinë e tij edhe me atë të kryebashkiakut, për të provuar dyshimet se ai ka hyrë edhe në marëdhënie financiare me Veliajn.
“Spak dyshon se familjare të Veliajt ose persona të afërt me të kanë marrë perfitime financiare mes transfertash bankare dhe per keto jane gjetur edhe kontrata fiktive”, shpjegoi gazetaria Klodiana Lala gjatë një bisede me Ylli Rakipin.
Në fakt, deri më tani në media është denoncuar një rast kur Veliaj ka formosur një leje ndërtimi për një pallat në kombinat (foto poshte), në favor të një shoqërie përfituesi fundor i së cilës ishte Abule. Në muajin maj disa banorë të kombinatit shtëpitë e të cilëve qenë prishur nga tërmeti u ngritën në protestë pasi panë të fillonin punimet për një pallat shtatë katsh që do e ndërtonte Abule. Ajo gjendej mbi një lulishte mes disa pallateve, në rrugën “Llambi Bonata”, në Kombinat. Shumë pranë zonës ku po ngrijej ky pallat bashkia kishte vendosur të kryente prishjen e disa godinave të dëmtuara rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Banorët kërkuan nga Bashkia që godinat e reja për familjet e pastreha të ndërtoheshin në të njëjtin vend. Por ata u refuzuan në këtë kërkesë, me argumentin se trualli në atë zonë ishte i papërshtatshëm për ndërtim.
Dhe pikërisht në atë tokë, e cila iu mohua banorëve për “papërshtatshmëri”, Erion Veliaj dha lejen e ndërtimit për godinë 7-katëshe për biznesmenin Abule.
Nuk dihet nëse kjo godinë që u kthye në mollë sherri dhe që më pas u sekuestrua nga Prokuroria e Tiranës në kuadër të pasurive 50 milionë euroshe që iu sekuestruan Elman Abules, ka lidhje me dosjen e tanishme të SPAK. Por, fakt i pamohueshëm është se Veliaj po hetohet si i dyshuar për korrupsion pasi mund të ketë përfituar financaiarisht në disa kompani që ndodhen në Evropën qëndrore nga paratë e Abules.
Edhe më e vështirë është të kuptosh se përse SPAK ka zgjedhur të ç’tjerrë këtë fill tejet të ngatëruar kur ai e ka në tavë rolin e kryebashkiakut në firmat tek inceneratorët dhe tenderat e bashkisë në favor të kompanisë 5D. Disa mund të thonë se po ndiqet e njëjta skemë si për Ilir Beqen, i cili nuk u prangos për koncesionet në shëndetësi, por për abuzim me faturat në restorantit e tij privat. Por ajo që dihet me siguri është se Erion Veliaj është deri tani zyrtari më i lartë në detyrë të cilit SPAK i ka bërë kontroll banese dhe kjo në sajë të lidhjes së tij të dyshuar me një personazh të etiketuar më parë si trafikant.
©Lapsi.al