Ndryshe nga pala shqiptare dhe kryeministri Edi Rama, Greqia e ka vendosur: zgjerohemi me 12 milje në Detin Jon pastaj shkojmë në Hagë.
Ka qenë vetë kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i cili ka folur për herë të parë në parlament për të çështjen e kufijve detarë bashkë me Shqipërinë dhe dërgimin e saj në Hagë.
Sipas tij, Greqia do të zgjerohet me 12 milje në Jon pasi kjo është një e drejtë e patjetërsueshme e saj, dhe as nuk diskutohet dhe as nuk kushtëzohet.
Sipas tij pasi të bëhet ky veprim atëherë çështja do të referohet në Hagë me Shqipërinë.
“E drejta për të zgjeruar ujërat territoriale në 12 milje është një e drejtë e patjetërsueshme e njëanshme e vendit. Nuk diskutohet, nuk kushtëzohet”, u shpreh ndër të tjera Mitsotakis.
Gjatë vizitës së ministrit të jashtëm grek Nikos Dendias në Tiranë, palët, sipas kryeministrit Edi Rama, kishin rënë dakord që çështja për detin të gjykohej nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, por mesa duket Athina e ka patur gati “planin” e saj./Ora news/