Në Shqipëri nuk dihet asgjë për projektin e paralajmëruar të kompanisë së dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner, që do të ndërtonte hotele dhe vila në Sazan dhe Zvërnec, ndërsa në Beograd ai ka mbaruar punë me procedurat shtetërore.
Përfaqësuesi i kompanisë së Kushner, Asher Abehsera ka firmosur këtë javë marrëveshjen me qeverinë serbe për ndërtimin e një hoteli 500 milion euro në qendër të Beogradit.
Në ceremoni, qeveria serbe u përfaqësua nga Ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës i Serbisë, Goran Vesiç ndërsa për kompaninë e dhëndrit të Donald Trump, Affinity Global Development firmosi Asher Abehsera.
Projekti do të ndërtohet mbi godinën e bombarduar nga NATO të ish-Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në Beograd. Godina gjendet në qendër të qytetit të Beogradit, pikërisht përballë ndërtesës së qeverisë.
Për të justifikuar investimin amerikan në opinionin publik, qeveria serbe ka vendosur që mes projektit të hotelit 500 milion dollarësh, të shtohet edhe një memorial për viktimat e bombardimeve të NATO-s.
Affinity Partners ka 2 miliardë dollarë financim nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite, mes investitorëve të tjerë të huaj.
“Ne jemi shumë të emocionuar”, thoshte Kushner në një intervistë në mars për Neë York Time, në lidhje me projektet e planifikuara në Beograd dhe Shqipëri. “Ne nuk i kemi finalizuar këto marrëveshje, kështu që ato mund të mos ndodhin, por ne kemi punuar shumë dhe jemi shumë afër.”
Ndërkohë në Shqipëri ende nuk ka informacion se në ç’fazë është shqyrtimi i kërkesës së dhëndrit të Trump për të investuar në Sazan dhe në Zvërnec. Informacionet për projektin janë të pakta.
Deri tani janë publikuar disa foto se si do të duken vilat në Sazan, ndërsa Kushner ka zbuluar se projekti i i parë në Shqipëri do të jetë një resort luksi në ishullin e Sazanit të markës së hoteleve Aman, që është një nga markat më të shtrenjta në botë. Projekti i dytë do të jetë në zonën e Zvërnecit, pranë Vlorës, ku planifikohet ndërtimi i disa resorteve me afro 10 mijë dhoma hotelesh dhe vila.
Në komentet për Zërin e Amerikës në Mars të këtij viti, ministria e Turizmit dhe Mjedisit konfirmoi aplikimin e kompanisë së zotit Kushner për projektin në ishullin e Sazanit, por tha se nuk ka dijeni mbi një projekt për Zvërnecin. Në reagimin zyrtar thuhej se “ky projekt duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit nga disa institucione dhe të arrijë më pas tek Ministria e Turizmit dhe Mjedisit”.
Por në përgjigjen zyrtare sqarohej se projekti shihej me sy pozitiv nga qeveria shqiptare: “Çdo investitor serioz që vjen, për më tepër nga vende aleate strategjike të Shqipërisë siç janë edhe SHBA-të, e ka derën të hapur për të kontribuar në rritjen cilësore të turizmit dhe të standarteve të larta në këtë sektor jetik për ekonominë e vendit”.
Edhe kryeministri Rama e vlerësoi projektin e Kushner duke lënë të kuptohet se qeveria do ta miratojë atë: “Këto ditë, Jared Kushner, një sipërmarrës i madh amerikan dhe dhëndrri i ish presidentit Trump,shpalli pulbikisht ambicjen për të investuar në dy projekte të mëdha turistike në Shqipëri. Po ata që na tregonin Malin e Zi për zhvillimin e turizmit dhe investimet e huaja direkte, sot na flasin për rrezikun që i kanoset Sazanit nga kthimi në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe”, tha Rama.
Jared Kushner erdhi fillimisht në Shqipëri me bashkëshorten, Ivanka Trump në verën e vitit 2021 bashkë me sheikun Nasser Al-Khelaifi, presidenti i PSG-së.
Ata u kthyen dy vite më pas, në verën e vitit 2023, të shoqëruar edhe nga Richard Grenell, ish-i dërguar i administratës Trump për Ballkanin Perëndimor dhe Asher Abehsera ortaku i tij në biznes.
Në prononcimin për Bloomberg Neës, Kushner pranoi se sinjalet e para për të investuar në Shqipëri i mori pikërisht nga këta dy persona, Richard Grenell dhe Asher Abehesera. Ky i fundit është personi në të djathtë të fotos, që qëndron në krahun e majtë të kryeministrit Edi Rama.
Në foton më lart, grupi sapo ka dalë nga muzeu “Shtëpia e gjetheve” në Tiranë, të cilën e vizituan në verën e vitit të kaluar. Po ashtu New York Times konfirmoi se kontaktet mes Jared Kushner dhe qeverisë shqiptare u intensifikuan me ndërmjetësimin e biznesmenit Shefqet Kastrati dhe djalit të tij, Musa Kastrati.
Investimet e Kushner në Ballkan janë shoqëruar me polemika në disa nga mediat më serioze të globit. Në Aljazera, New York Times, Newsweek dhe Frankfurter Allemegne Zeitung, u hap debati lidhur me konfiktin e mundshëm të interesit, për faktin se Jared Kushner përfitoi nga pozicioni i tij si këshilltar i presidentit amerikan Donald Trump për financimet dhe për investimin në Shqipëri dhe në Serbi./Lapsi.al