Që nga kritikat ndaj kuzhinës finlandeze e deri te ndejat, “Bunga Bunga”, jeta e ish-kryeministrit italian kishte luhatje të mëdha.
Të kujtosh Silvio Berlusconin pa ia përmendur gafat është pothuajse e pamundur. Ironia, qoftë e mirë apo e keqe, ishte shenja dalluese e të ndjerit.
Ish-pronari i klubit futbollistit të Milanit ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare në një spital të qytetit të Milanit.
Euronews zgjodhi disa nga deklaratat më të famshme të manjatit të ndjerë të mediave në Itali.
Kuzhina finlandeze
Ishte viti 2001 dhe Bashkimi Evropian duhej të vendoste se ku do të jetë selia e agjencisë së saj ushqimore – Helsinki të Finlandës apo Parma të Italisë. Berlusconi nuk kishte dyshime, “Parma është sinonim i kuzhinës së mirë. Finlandezët as nuk e dinë se çfarë është proshuta”.
Përgjigja e Finlandës ishte po aq e paharrueshme. Gazeta “Helsingin Sanomat” doli me një faqe të tërë ku shkruhej, “Proshuta është proshutë. Tani mbi 1,200,000 finlandezë e dinë këtë. Të kënaqur, zoti Berlusconi?”
BE-ja përfundimisht ia besoj agjencinë shtetit italian, por Berlusconi arriti të zemërojë më tej finlandezët duke thënë se për të bindur kryeministrin finlandez, Tarja Halonen të hiqte dorë nga oferta, ai duhej “të përdorte të gjitha taktikat e tij të “playboy”. Finlanda ftoi ambasadorin e Italisë për t’i dhënë një notë proteste.
Shamia
Në gusht të vitit 2004, Berlusconit i bashkohet kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair në vendpushimin e Sardenjës, Porto Rotondo.
Ai e mirëpret atë duke veshur një veshje krejt të bardhë, e cila përfshinte një shami në kokë.
Me sa duket, ai e përdori atë për të mbuluar mbjelljen e flokëve. Mbetet një nga pamjet më të paharrueshme të italianit.
Nazizmi
Viti 2003 ishte ndoshta fillimi më i keq ndonjëherë për një presidencë të radhës të BE-së.
Berlusconi i drejtohet parlamentit evropian në Strasburg dhe i lë të gjithë pa fjalë duke e krahasuar eurodeputetin gjerman, Martin Schulz me një “kapo”, roje naziste e kampit të përqendrimit.
Schulz kishte marrë guximin ta pyeste për një konflikt interesi.
Gafa ‘Obama i nxirë’ dhe fotoja me Michelle
Në vitin 2008, Barack Obama u bë presidenti i parë me ngjyrë i Shteteve të Bashkuara.
Duke folur në një konferencë për shtyp, Berlusconi tha se Obama do të ishte i lehtë për t’u dalluar, pasi ai “është i ri, i pashëm dhe… i nxirë”.
Shumë shpërthyen në të qeshura, por pjesa më e madhe e botës nuk e gjeti veten në këtë shaka.
Dyshja u takuan përfundimisht në Pittsburgh në vitin 2009, ku bënë një foto me Michelle Obaman.
Berlusconi duket se i jep komplimente bashkëshortes së presidentit amerikan. Barack Obama nuk duket i kënaqur.
Komentet për tërmetin në L’Aquila
Në vitin 2009, një tërmet shkatërrues goditi qytetin e L’Aquila.
Pati qindra viktima dhe pothuajse 30 mijë njerëz u zhvendosën.
Berlusconi vizitoi një kamp refugjatësh dhe u përpoq njerëzit t’i bënte të qeshnin duke thënë se strehimin e përkohshëm duhet ta shohin si “pushim në kamping”.
Kriza? Çfarë krize?
Është viti 2011. Evropa është kapluar nga kriza më e keqe financiare që nga “Depresioni i Madh” dhe Italia po shkonte drejt falimentimit.
Berlusconi, megjithatë, e sheh atë ndryshe.
Duke folur në G20 në Kanë, ai thotë se në fund të fundit nuk ka shumë vend për shqetësim, sepse, nëse shikoni përreth, “restorantet janë të mbushura plot me njerëz dhe rezervimi i një bilete fluturimi është pothuajse i pamundur”.
Ai u detyrua të jepte dorëheqje më pak se dy javë më vonë, duke u zëvendësuar nga një qeveri teknokrate që do të përpiqej të shpëtonte financat e Italisë.
Bunga-Bunga
Duke folur për natën e vitit të ri në një telefonatë të përgjuar të vitit 2009, Berlusconi thotë, “Dje në mbrëmje ishte një radhë e gjatë jashtë dhomës sime… ishin njëmbëdhjetë prej tyre: bëra vetëm me tetë sepse nuk mund ta bëja më me shumë, nuk mund të arrijë gjithçka”.
Pikëpamjet për homoseksualët
Duke iu drejtuar një panairi të automobilave në Milano në vitin 2010, ai tha se “unë jam i tillë, ndonjëherë më ndodh t’i hedh një sy vajzave të bukura. Por, është më mirë të kesh pasion për vajzat sesa të jesh homoseksual”.
Shenjtëria politike
Berlusconi nuk ishte thjesht një tregtar i shkëlqyeshëm, ai e solli vetëbesimin në një nivel krejtësisht të ri.
Duke folur në një tubim përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2006, ai deklaroi se “unë jam Jezu Krishti i politikës, një viktimë. Unë sakrifikoj veten për të gjithë”.
Syze dielli ne parlament
Ky nuk ishte një moment i sikletshëm, me të vërtetë, pasi ai po shërohej nga një operacion në sy.
Por, pamja në thelb pushtoi ballinat e gazetave botërore.
Ndryshe, ish-kryeministri italian do të varroset me nderime shtetërore, ndërsa varrimi do të bëhet të mërkurën në Katedralen e Milanos.