Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar për tensionet në veri të Kosovës, ku mbetën të plagosur pesë efektivë policie në përplasjen me protestuesit serbë, të cilët nuk lejonin të hynin në zyrat e tyre krerët e zgjedhur të komunave.
Në një deklartë në faqen e saj, Departamenti Amerikan i Shtetit dënon veprimet e dhunshme të policisë së Kosovës. Sipas DASH, këto veprime po minojnë përpjekjet e SHBA-ve dhe BE-së për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë. Për këtë arsye, sipas amerikanëve, Kosova do të përballet me pasoja në raportet me SHBA-të.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ashpër veprimet e qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës, veprime këto kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës.
Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”, thuhet në deklaratën e DASH.
DASH i ka bërë thirrje Albin Kurtit që të ndryshojë kurs dhe të gjitha palët të shmangin nxitjen e konflikteve të mëtejshme.
“I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë kursin dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndezë tensionet dhe do të nxisë konfliktin”, përfundon DASH.