Danezi Peter Sorensen pritet të jetë dërguari i ri i BE-së për dialogun. Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, ka vendosur që diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, të jetë përfaqësues i posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas burimeve diplomatike në BE, emri i Sorensenit është dërguar për miratim edhe te vendet anëtare të bllokut.
Kandidatura e tij do të jetë në rend dite në takimin e Komitetit politikë dhe të sigurisë së BE-së (PSC) ku janë përfaqësuesit e të gjitha vendeve anëtare..
Burimet diplomatike thanë për A2 CNN se sipas praktikës nga e kaluara, konfirmimi i Sorensenit nga vendet anëtare do të jetë vetëm procedurë formale, pasi tashmë Kallas e ka zgjedhur atë si të dërguar të posaçëm për dialogun.
Pritet që Sorensen të konfirmohet në postin e emisarit për dialog deri në fund të këtij muaji, në mënyrë që nga fillimi i shkurtit të nisë mandatin e tij. Ndërsa të dërguarit aktual, Lajçak, i skadon mandati më 31 janar.
Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai aktualisht është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.