Të dhënat e procesit të regjistrimit të emigrantëve tregojnë se 35% e aplikimeve refuzohen nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku shkaku kryesore është deklarimi gabim i adresës së vendbanimit jashtë vendit.
Juristi Franc Nuri thotë: “Ideja është se adresa që ata hedhin tek të dhënat në data-bazën e KQZ, nuk korrespondon me dokumentin që e vërteton adresën dhe kjo bën të refuzohet. Apo lidhja e adresës së personit është problematike me rezidencën e tij”.
Për të shmangur këtë gabim në plotësimin e formularit elektronik, duhet që krahas adresës, shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të ngarkojnë në sistem edhe një dokument që provojnë se jetojnë aty.
“Në kuptim që një familjar anëtar i një familje duhet të sjellë dokumente shtesë pasi karta e rezidencës është në emër të kryefamiljarit, por që të vërtetojë se jeton aty do sjellë attach certifikatën familjare për të vërtetuar lidhjen me atë familjar”, shtoi Nuri.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në garë me kohën për të përballuar dyndjen e emigrantëve të cilët duan të votojnë në zgjedhjet e 11 maji.
Nga momenti i aplikimit në platformën elektronike, operatorët e KQZ kanë 5 ditë kohe për të pranuar apo refuzuar kërkesën. Në rast se i refuzohet aplikimi, emigranti ka të drejtë të aplikojë serish duke korrigjuar dokumentet e pasaktë.