Blendi Kajsiu
Me emërimin e saj kryeministri na tregon qartë karakteristikat themelore që ai vlerëson tek një ministër apo ministre, efikasitetin e lartë të kombinuar me mungesën totale të vullnetit, dinjitetit dhe të ndërgjegjes njerëzore.
Ky në fakt është dallimi themelor mes inteligjencës humane dhe asaj artificiale (IA). IA-ja është shumë më efikase se inteligjenca e çdo qenie njerëzore përsa i përket kalkulimit apo procesimit të informacionit. Ama IA-ja, ndryshe nga inteligjenca njerëzore, nuk ka as vullnet të lirë, as ndërgjegje dhe për pasojë as dinjitet. Ajo është thjesht një instrument i vullnetit të përdoruesit të saj.
Pikërisht këto karakterstika e bëjnë Diellën ministren ideale në botëkuptimin e kryeministrit Rama. Ajo është jashtëzakonisht efikase (ose teknokrate), ka zero kapital dhe ambicie politike, dhe është njëkohësisht tërësisht e nënshtrueshme ndaj vullnetit të kryeministrit. Diella është e vetmja ministre që firmos gjithçka sepse nuk i trembet SPAK-ut.
Në këtë aspekt Diella është faza e fundit e tranzicionit gradual të qeverisë Rama nga ministri me profil politik dhe publik tek ministri virtual (ose fasadë). Me ministër politik nuk nënkuptoj thjesht njerëz që kishin kapital politik ose profil publilk por individë që përtej kapitalit politik kishin edhe aftësi teknokratike apo administrimi.
Të tillë ishin Shkëlqim Cani, Erjon Veliaj, Blendi Klosi, Milva Ekonomi (me profil të lartë publik), apo Damian Gjinkuri në qeverinë Rama 1.
Nga ministrat politiko-teknokratik qeveria Rama 2 dhe 3 kaloi gradualisht në ministrat thjesht teknokratik. Këta ishin individë pa asnjë profil politik, publik apo social. Tipari i tyre dallues ishte anonimiteti. Në frazën lapidare të Mero Bazes, këta ministra nuk i gjeje dot as në Google. Në disa raste ata emërimin e merrnin vesh nga televizori.
Sot kemi hyrë në fazën e fundit të zëvendësimit të ministrave anonim me ministra virtual si Diella, e cila kurrë nuk do ta marrë vesh që është emëruar ministre. Po kalojmë nga ministrat anonim dhe pa profil politik dhe publik tek ministrat pa vullnet dhe pa ndërgjegje njerëzore. Ky lloj ministri është tekstualisht, dhe jo në mënyrë figurative, skllav i vullnetit të kryeministrit Rama.
Ky është në fakt funksioni kryesor i Diellës, më shumë se lufta ndaj korrupsionit. Diella në vetvete nuk mund ta luftojë korrupsionin sepse e kundërta e korrupsionit është ndershëmria. Ama ndershmëria, si akt ose si botëkuptim, është produkt i vullnetit të lirë dhe i ndërgjegjes njerëzore.
Emërimi i Diellës është pranim nga ana e kryeministrit Rama se ndershmëria mungon si në qeverisjen edhe në administratën e tij publike. Është mungesa e besimit që ai ka tek bashkëpunëtorët e tij kryesor, që vazhdimisht vjedhin pas shpinës së tij, çka justifikon emërimin e Diellës ministre, për të zëvendësuar vendimmarrjen e korruptuar njerëzore të qeverisjes aktuale.
Problemi është se një adminstratë ose qeveri tërësisht dixhitle është e pamundur. Nëse vullneti dhe ndërgjegja njerëzore që e programon Diellën është e korruptar produkti do jetë më shumë korrupsion dixhital që shërben për të fshehur korrupsionin njerëzor.
Ndaj synimi i kryeministrit Rama për ta luftuar korrupsionin thjesht nëpërmejt një qeverie apo administrate virtuale është një fantazi e rrezikëshme që dëshmon dorëzimin e kryeministrit përballë kalbëzimit korruptiv të qeverisjes dhe të administratës së tij publike. Ky kalbëzim nuk luftohet me inteligjencën artificiale por duke injektuar vlera, etikë dhe ndershmëri nga nivelet më të larta të qeverisë deri tek nivelet më të ulëta të administratës publike.
Ama fara e etikës dhe ndershmërisë nuk mbin kollaj kur karriera politike dhe administrative është në funksion të zhdrejtë me vullnetin e lirë dhe dinjitetin njerëzor. Të kërkosh ministra dhe administrator që janë njëkohësisht edhe skllevër të vullnetit të shefit edhe të ndershëm dhe parimor është e pamundur.
Diella është shembulli më i mirë i këtij fenomeni. Askush nuk i nënshtrohet më mirë dhe më me efikasitet se ajo vullnetit të kryeministrit. Askush tjetër në qeverinë Rama nuk ka më pak lidhje me ndershmërinë, parimet dhe dinjitetin njerëzor se Diella./ Lapsi.al