Ambasadorët që përfaqësojnë disa nga shtetet e QUINT-it në Kosovë kanë reaguar përmes llogarive të tyre në Twitter, prej ku kanë dënuar dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve, teksa kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës.
Edhe pse ende zyrtarisht nuk dihet numri i saktë, ekipi i Radios Evropa e Lirë në teren ka parë ushtarë të lënduar të KFOR-it. Gjithashtu, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) tha se një makinë e një ekipi medial është djegur në Zubin Potok, teksa në veri të Kosovës janë regjistruar edhe disa tentim-sulme dhe vandalizime të makinave të ekipeve të gazetarëve.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog tha se BE-ja dënon fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve në Zveçan.
“Ne përsërisim thirrjen tonë për ndalimin e menjëhershëm të dhunës dhe uljen e tensioneve”, ka shkruar ai.
Ambasadori gjerman në Kosovë Jorn Rohde ka dënuar dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve në veri të vendit, duke thënë se situata duhet të shtensionohet menjëherë.
“Çdo veprim i dhunshëm ndaj KFOR-it dhe gazetarëve është absolutisht i papranueshëm dhe duhet të ndalet tani – nevoja për të shtensionuar situatën është e menjëhershme”, shkroi Rohde në Twitter.
Ambasadori francez Olivier Guerot gjithashtu përmes një postimi në Twitter ka thënë se dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe ndaj gazetarëve nuk justifikohet dhe duhet të ndalojë, përderisa ka dhënë mbështetjen e plotë për trupat paqeruajtëse në Kosovë.
“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë masa të menjëhershme për shtensionimin e situatës”, tha Guerot.
Edhe ambadaori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, më herët gjatë ditës shkroi në një mesazh në Twitter se “SHBA-të dënojnë fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve sot në Zveçan, përfshirë përdorimin e eksplozivëve, kundër pjesëtarëve të KFOR-it”.
“Ne përsërisim thirrjen tonë për një ndalim të menjëhershëm të dhunës ose veprimeve që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, tha Hovenier.
Përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it në Kosovë – SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Gjermanisë dhe Francës – kërkuan nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që të ndërmarrë hapa që do të çonin në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Ata këtë kërkesë e bënë gjatë një takimi me kryeministrin.
Që nga mëngjesi i 29 majit, grupe të serbëve kanë protestuar në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit serbë, të tubuar para ndërtesës së komunës së Zveçanit. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk ishin të pranishëm në momentin e ndërhyrjes në Zveçan.
Më 26 maj, pesë policë u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë të cilët hodhën gurë në drejtim të tyre. Policia u kundërpërgjigj me shok-bomba dhe me gaz lotsjellës.
Tensionet u rindezën në komunat veriore të Kosovës pasi kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit – të gjithë shqiptarë – u kundërshtuan nga serbët lokalë.
Krerët e mëparshëm të katër komunave në veri, Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit, të banuara me shumicë serbe, ishin nga Lista Serbe. Por, ata u dorëhoqën në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në targa RKS – Republika e Kosovës.
Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga popullata shumicë serbe në veri, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj./REL/