Shefja e lartë e zhvillimit ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara, Samantha Power, gjatë javës pritet të vijë në Kosovë, e pastaj të udhëtojë drejt Serbisë, për të takuar udhëheqësit e të dyja vendeve.
Qëllimi i vizitës është që t’i inkurajojë dy liderët të qëndrojnë në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve dhe të vazhdojnë të ecin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Power do të nënvizojë mbështetjen e USAID-it për rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian përmes partneritetit për të nxitur rritjen ekonomike dhe zhvillimin demokratik.
Power do të jetë zyrtarja e parë i lartë i qeverisë amerikane që do të udhëtojë në rajon që kur Bashkimi Evropian ndërmjetësoi një takim midis krerëve të dy qeverive javën e kaluar në Bruksel, duke i inkurajuar ata që të kthehen në dialog paqësor.
Qëndrime të kundërta për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por pajtueshmëri për Deklaratën e të Zhdukurve nga koha e luftës, pati me 2 maj në Bruksel.
Ky ishte epilogu i rundit të fundit të bisedimeve midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që u zhvillua të martën në Bruksel.
Ndërmjetësuesit evropianë të bisedimeve kërkuan nga palët qasje më konstruktive, derisa shprehën frikë për përshkallëzimin e mundshëm të situatës në veri të Kosovës.
Përpara kësaj here, Kurti dhe Vuçiq janë takuar në Ohër, më 19 mars, kur edhe janë pajtuar gojarisht për zbatimin e një marrëveshjeje të re që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kjo marrëveshje, e njohur më herët si propozimi evropian, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për Asociacionin.
Ajo nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon prej tyre që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.
Deri më tash, pikë e përmbushur e marrëveshjes është vetëm themelimi i Komitetit të Përbashkët Monitorues që do të mbikëqyrë zbatimin e saj, raporton AP.