Ai shton se kur thotë se duhet një drejtësi që lufton korrupsionin dhe garanton standartet demokratike, e thotë këtë që beson e as i shkon mendja të bëj teatër me vizita në burgje apo të bëhet palë në procesin e drejtësisë.
Kryeministri Edi Rama ka bërë një postim në rrjetet sociale ku shprehet i distancuar nga rasti i kryebashkiakut Erion Veliaj. Rama thotë se nuk është e vërtetë se do të vizitojë Veliajn në paraburgimin e Durrësit. Kryeministri shkruan në platformën “X” se beteja ligjore e Veliajt është beteja e tij dhe e avokatëve të tij, jo e vetë Ramës apo e Partisë Socialiste.
Ai shton se kur thotë se duhet “një drejtësi që lufton korrupsionin dhe garanton standartet demokratike”, e thotë këtë sepse e beson e as i shkon mendja të bëj teatër me vizita në burgje apo të bëhet palë në procesin e drejtësisë.
“Sepse unë s’jam këneta dhe Zoti nuk më ka dënuar me zhubrazhgarravitje të surratit, duke më imponuar rolin e bufit të kënetës për të larë haqet e një jete të mbrapshtë publike! Dhe siç po e sheh në kanale e portale tërë Shqipëria unë jo SPAKUN që nuk e kontrolloj përderisa kam udhëhequr luftën për krijimin e tij si flamur pavarësie në territorin deri dje komplet të pushtuar të drejtësisë, po as nuk kontrolloj një media të vetme”, shkruan Rama.
Postimi i Ramës:
Dje morëm letrën e Presidencës Polake të BE, për çeljen e grupkapitullit 3 të negociatave ndërkohë që në 29 janar kemi marrë letrën për çeljen e grupkapitullit 2, pra për hapjen e dy dyerve të tjera në korridorin drejt sallës së madhe të familjes së bashkuar europiane.
Sa mbarova fjalën live këtu në kryeministri, ku me ekipin kombëtar të negociatave po prezantojmë edhe për publikun modelin e Inteligjencës Artificiale, i cili sapo ka hyrë në funksion me orë të plota pas testimeve të suksesshme. Ndërkohë këneta politiko-mediatike paska hapur lajmin e rremë se qenkam nisur të takoj Erionin në Durrës dhe qenkan rreshtuar edhe gazetarët atje.
O llum i madh që e mbytët këtë milet me jashtënxjerrjet e shpirtit të kalbur dhe që e vetmja punë që dini është të nxirrni tërë ditën tituj të ndyrë nga goja juaj apo të shtrembëruar e të nxjerrë nga konteksti kur m’i vini në gojën time, e pastaj t’i komentoni në udhëkryqet e rrugaçërive tuaja të natës!
Erioni është në paraburgim dhe më pëlqen a s’më pëlqen mua se si u trajtua rasti i tij, unë nuk jam ju, nuk jam as si ju dhe as si bufi i kënetës tuaj të kuakuakuave. Beteja ligjore e Erionit është beteja e tij dhe e avokatëve të tij, jo e imja dhe e Partisë Socialiste. Kur them duhet një drejtësi që lufton korrupsionin dhe garanton standartet demokratike, unë them ate që besoj e as më shkon mendja të bëj teatër me vizita në burgje apo të bëhem palë në procesin e drejtësisë në çfarëdolloj forme.
Sepse unë s’jam këneta dhe Zoti nuk më ka dënuar me zhubrazhgarravitje të surratit, duke më imponuar rolin e bufit të kënetës për të larë haqet e një jete të mbrapshtë publike! Dhe siç po e sheh në kanale e portale tërë Shqipëria unë jo SPAKUN që nuk e kontrolloj përderisa kam udhëhequr luftën për krijimin e tij si flamur pavarësie në territorin deri dje komplet të pushtuar të drejtësisë, po as nuk kontrolloj një media të vetme.
Po e dini pse? Sepse them atë që bëj dhe bëj atë që them, si udhëheqësi i forcës më të madhe politike të shqiptarëve që duroj tash sa vite llumin tuaj mbi veten e familjen time, vetëm e vetëm se kam marrë përsipër ta çoj me se s’bën Shqipërinë njëherë e mirë përtej kënetës suaj 100 e kusur vjeçare, duke e ulur si zonjë në tryezën e Familjes së Bashkuar Europiane.
Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga peronat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.