Ashtu si pritej, xhudistja Distria Krasniqi po avancon shpejtë në ranglistën botërore të kategorisë deri 52 kilogramë. Xhudistes kosovare i kanë mjaftuar dy gara për t’u ngritur në pozitën e 14-të.
Pas medaljes së artë në Grand Prix të Portugalisë, dhjetë ditë më parë, Distria kishte avancuar nga pozita e 38-të në pozitën e 22-të. Ndërsa pas medaljes së argjendtë në Grand Slamin e Parisit, të shtunën, Distria është ngritur edhe për tetë pozita të tjera. Tani është e 14-ta me 2260 pikë.
Është çështje javësh e muajsh që Distria të dal aty ku e ka vendin, në krye të ranglistës botërore në kategorinë deri 52 kg. Distria ishte më poshtë në ranglistë për shkak të ndryshimit të kategorisë. Deri në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” ka garuar në kategorinë deri 48 kilogramë. Në këtë kategori fitoi të artën olimpike. Vitin 2021 e mbylli e para në ranglistën botërore në kategorinë deri 48 kg. Madje vazhdon të jetë ende e para, falë pikëve që i ka fituar në garat e viteve të kaluara. Për Distrinë, kategoria deri 48 kg i takon së kaluarës. Ajo tani është e fokusuar në kategorinë e re. Dhe njëri prej synimeve është të jetë në krye të ranglistës.

