Sot shënon dhe ditën e 10 të grevës së grave naftëtare të Ballshit.
Gjendja e tyre është përkeqësuar ndjeshëm për shkak të mosushqyerjes dhe stresit, teksa i bëjnë thirrje qeverisë për një reagim.
“Mos na detyroni të sjellim fëmijët këtu. Mos na detyroni të shikojnë fëmijët tanë sakrificën, vdekjen që po bëjmë ne për ta. Ju lutem mos të bëjnë teatër me ne se po na qan zemra. Është e dhimbshme”, ka thënë njëra prej naftëtareve greviste.
Sakaq një tjetër greviste ka theksuar se nga greva dalin vetëm të vdekura nëse nuk marrin pagat e prapambetura.
“Po na vret stresi çdo ditë e më shumë, zhgënjimet e kryeministrit. Nuk e di se çfarë i kushton të vijë këtu. Ne dalim nga greva vetëm të vdekura, nuk dalim pa marrë lekët. Lekët nuk kanë negociatë për djersën”, shton një naftëtare tjetër
E shtuna shënoi ditën e 27 të grevës në Ballsh, dhe ditën e 10 që kur burrat i lanë vendin grave për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tyre shëndetësore, ndërsa bisedimet mes qeverisë dhe grevistëve duket se janë larg.