Për futbolldashësit një të diel si kjo, vështirë se do ta gjejnë , pasi fati si në një rastësi hyjnore sjell mundësinë për të parë në një ditë të vetme, klasiket më të mëdha të kontinentit.
Në Barcelonë luhet “El Clasico” Barcelona-Real Madrid. Përballja më e ndjekur e gjithë globit, në sfidën mes gjigantëve iberike, tanimë pa Messin e Ronaldon, por me të njëjtin status, si sfida që bashkon rivalitetin dhe virtuozitetin maksimal të futbollit. Barcelona e Koeman që në “Camp Nou” me një moto të ngjashme si ajo e “No Pasaran”, kërkon të pengojë hegjemoninë e re që po tentojnë të ngrenë Los Blancos. Futbolli i ngritur në një vepër arti, vjen me El Clasicon në orën 16:15.
Lufta për dominimin e historisë, traditës të vendit që e shpiku lojën, Anglisë, merr jetë në “Teatrin e Ëndrrave”. Manchester United pret Liverpoolin, në më klasiken e futbollit britanik, nga ora 17:30. Është ajo sfida më rivalizuese e futbollit anglez, me aktualitetin që nuk tradhton historinë dhe përball dy skuadra elektrizuese. “Të Kuqtë” e Klopp me Mohamed Salah, njeriun që vetëm pak ditë më parë gjermani e etiketoi “si më të mirin e momentit”, deklaratë që motivon padyshim më tepër Cristiano Ronaldon, që ka rastin t’i tregojë këtë të diel se mbretërimi i tij ende nuk ka mbaruar. Unitedi i tij kërkon rikthimin në maja dhe për t’ia dalë, duhet patjetër të kalojë nga një sfidë si kjo, më e madhja në Angli. Solskjaer e di mirë se kjo është sfida që ha koka trajnerësh, si ajo e Mourinhos pak vite më parë dhe beteja pritet të jetë vërtet epike.
Serie A do të jetë dëshmitare e dy dueleve mjaft interesante. Roma e Jose Mourinhos pret nga ora 18:00 Napolin, që është ekipi i vetëm në pesë ligat evropiane që ka bilanc 100 për qind pas tetë ndeshjeve në kampionat. Roma vjen pas humbjes befasuese 6:1 nga Bodo/Glimt. Më vonë, gjatë orës 20:45, luhet klasikja e futbollit italian mes Interit dhe Juventusit.
Zjarri i të dielës së madhe evropiane përfshin edhe Holandën. Ajaxi i Amsterdamit pret PSV Eindhoven. Dy skuadrat që kanë dominuar për gjithë këto dekadat e fundit futbollin holandez, përballen për kreun e klasifikimit dhe mbizotërimin në “Tokën e Tulipanëve”. Ndeshja fillon nga ora 16:45.
E diela vijon me më klasiken e Francës. Ligue 1, futbolli që po shumëfishon vlerën, shikueshmërinë, të ardhurat, vëmendjen, falë rritjes gjigante dhe yjeve të panumërt si Messi, Neymar dhe Mbappe, në historinë e re të Parisit që ngrihet mbi gjithë të tjerët. Skuadra e sheikëve duhet ta tregojë këtë përballë rivales më të madhe që nga ekzistenca e tyre, Olympique Marseille, ekipit që në përballjen me kryeqytetasit ka bërë historinë e futbollit francez dhe që do të japë shpirtin në fushën e Velodrome për të treguar se në futboll nuk vlejnë vetëm paratë apo yjet dhe “Derbi i Francës” nuk mund të pronësohet nga sheikët.