Ajo e tija është një betejë 10-vjeçare, e cila deri më tani nuk ka sjellë asnjë rezultat. Por Simon Charles Dorante-Day nuk dorëzohet. Ai është i bindur se është djali i fshehtë i mbretit më të ri të Britanisë së Madhe, Charles III dhe bashkëshortes së tij Camilla.
Sigurisht që nuk është një lajm i ri për mediat britanike por jo vetëm. Lajmi është se në orët e fundit australiani, 56 vjeçar ka kërkuar që të flasë me Princ Harry-n, djalin e vogël të Charles nga martesa me Princeshën e ndjerë Dajana.
“Ne të dy jemi delet e zeza të familjes”, tha Dorante-Day duke shtuar se të dy do të kishin shumë për të folur, sepse “diçka na lidh”.
“Jam i bindur se do të më kuptonte. Ai u dënua nga babai i tij Charles, njësoj si unë”.
Reagimi i tij është shoqëruar me disa postime në Facebook, ku publikon vazhdimisht kolazhe për të demonstruar ngjashmërinë me “babain” Mbretin Charles III dhe një ftesë për të takuar Harry-n dhe Meghan-in.
“Gjëja e parë që do të bëja nëse do t’i takoja është t’i përqafoj fort. Unë mendoj se ata kanë nevojë për të, të jem i sinqertë. Shumë nga kritikat me të cilat po përballen janë dukshëm të padrejta. U zemërova shumë kur Harry-t i thanë se nuk mund të vishte uniformë ushtarake në funeralin e gjyshes së tij”, shtoi ai.
Dorante-Day, i cili jeton në Queensland dhe është inxhinier, tha se gruaja e tij indigjene Elvianna do të kishte gjithashtu shumë të përbashkëta me Meghan Markle.
“Kur njerëzit thonë se ai dukej shumë nervoz, e kuptoj se nga vjen ky emocion. Mund të them se ai është i shqetësuar për dikë që mund të sulmojë Meghan ose që mund të thotë diçka që do ta detyrojë atë të reagojë”, u shpreh 56-vjeçari.
Simon Charles lindi në Portsmouth të Mbretërisë së Bashkuar më 5 prill 1966 dhe u birësua në moshën 8 muajsh përpara se familja e tij të vendosej më pas në Australi. Të dy gjyshërit adoptues kishin punuar për Mbretëreshën dhe Princin Philip.
Gjyshja e tij, në prag të vdekjes, do t’i kishte treguar se ai ishte djali i Charles dhe Camilla. Burri pretendon se mbreti Charles dhe bashkëshortja Camilla filluan marrëdhënien e tyre të ngushtë në vitin 1965, një vit para lindjes së tij.
Por kronologjia e tij e ngjarjeve bie ndesh me dokumentet zyrtare që saktësojnë se mbreti i ri dhe Camilla u takuan pesë vjet pas lindjes së Dorante-Day.