Ish-trajneri i Shqipërisë Giani De Biasi ka qenë i ftuar në “Zona Zero” në Top News ku ka folur për ndeshjen me Spanjën dhe mendimin e tij në lidhje me trajnerin Sylvinho dhe futbollistët e Kombëtares.
I pyetur nëse do ishte formacioni ndryshe nëse do ishte trajneri i Kombëtares, De Biasi shprehet se Sylvinho është një trajner shumë i mirë dhe ai bën zgjedhjen më të mirë të mundshme. Më mirë se ai nuk mund ta bëjë këtë zgjedhje, sipas ish-trajnerit.
Milaim Zeka: Formacioni po të ishit ju trajner do ishte ndryshe?
De Biasi: Nuk e di, unë nuk jam në pankinën e Shqipërisë, do më pëlqente të isha, më pëlqen shumë dhe jam shumë i lumtur që është Sylvinho në atë pankinë sepse e meriton, por besoj se është shumë e vështirë të thuash se cila do ishte zgjedhja e lojtarëve që do të rreshtoja, pasi është shumë e vështirë të dish sesi është gjendja e lojtarëve. Trajneri që është gjatë gjithë kohës me lojtarët e njeh gjënë, formën dhe motivimin e tyre. Më mirë se ai, askush nuk mund të bëjë. Askush më mirë se trajneri s’mund të bëjë zgjedhje.
Gjithashtu De Biasi shprehu hapur dëshirën e tij të kthehej sërish në Shqipëri për t’i dhënë një dorë kombëtares, por në një rol tjetër.
“Unë do të kthehesha pasi Duka është miku im, është një person që e vlerësoj shumë do doja të bashkëpunoja me të, por në një rol tjetër që do të ishte supervizor dhe me eksperiencën që kam akumuluar gjatë këtyre viteve në futboll, do të jepja një dorë për të rritur futbollin në Shqipëri”, tha De Biasi.
Ndër të tjera De Biasi shprehet se beson se Shqipëria është në rrugën e drejtë dhe e aftë të marrë pjesë në kompeticione të tilla siç është Europiani dhe Botërori.
“Jemi në rrugën e duhur, duhet të punojmë fort, ka të gjitha mundësitë e mundshme për t’u përmirësuar dhe për t’u rritur, kemi futbollistë që kanë luajtur për herë të parë në Europian dhe pas dy vitesh mund të luajnë edhe në Botëror”, u shpreh ish-trajneri i Kombëtares Giani De Biasi.