Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi i ftuar këtë të hënë në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të kaluara. Sipas tij, PS nuk ka asnjë bashki ku mund të thotë se nuk garon dot pasi nuk mund të fitojë.
Ai theksoi se fitorja në 61 bashki është e mundshme. Klosi ndër të tjera theksoi se bashkitë e humbura në zgjedhjet e kaluar ndodhën për shkak të gabimeve teksa mori shembull Kavajën.
“Partia Socialiste nuk ka asnjë, më të voglin hapësirë që mos garojë për të 61 bashkitë e vendit. Nuk e kemi ne asnjë hapësirë që mos garojmë, ne nuk mund të themi që në këtë bashki ne o vëlla nuk fitojmë dot. Do bëjmë garën por nuk fitojmë dot. Ne kemi të 61 bashkitë shumë të mundshme për të fituar.
Ato gjashtë bashki, pesë bashki që kemi humbur 2021-in, 2023-n e kam thënë dhe këtu i kemi humbur për fajet tona. Ore, ne mund të bëjmë prapë gabimet. Pa dyshim zgjedh një kandidat gabim, prish një ekuilibër lokal, bën një përzgjedhje të gabuar, nuk arrin t’ju përgjigjesh si duhet njerëzve, nuk arrin ta trajtosh si duhet problematikën e zgjedhjeve të kaluar dhe humbet. Ne s’kemi humbur në Kavajë se Kavaja është bastion.
Ne kemi humbur në Kavajë se gabuam. Ne kemi humb Memaliajn. Kemi humbur Pukën, e kishim fituar. Bëme gabim, mund ta humbim një për gabim. Ne nuk kemi asnjë bashki ku s’kemi fitues ose arsye për të mos fituar”, tha ai ndër të tjera.


