Vladimir Putin ka hedhur poshtë ndryshimet e fundit në planin 28-pikësh të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ndryshime që u bënë me nxitjen e shteteve evropiane.
Putin i cili po flet shumë shpesh për mediat ditët e fundit tha se propozimet evropiane synojnë bllokimin e procesit të paqes. Komentet e tij vijnë përpara takimit të tij të planifikuar me të dërguarin e SHBA-së Steve Witkoff dhe dhëndrin e Trump, Jared Kushner, të cilët ndodhen në Moskë për negociata mbi planin e paqes.
Shefi i Kremlinit akuzoi fuqitë evropiane se po pengojnë përpjekjet e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke paraqitur propozime që ata e dinin se do të ishin “absolutisht të papranueshme” për Moskën, në mënyrë që të mund ta akuzonin Rusinë se nuk dëshiron paqe.
“Ne nuk planifikojmë të luftojmë kundër Evropës, e kam thënë këtë njëqind herë. Por nëse Evropa vendos papritur të shpallë luftë kundër nesh dhe e fillon atë, ne jemi gati tani. Nuk ka dyshim për këtë. Pyetja është: nëse Evropa fillon një luftë me ne, besoj se shumë shpejt… kjo nuk është Ukrainë. Me Ukrainën, ne veprojmë në një mënyrë kirurgjikale dhe të kujdesshme, e kuptoni, apo jo? Nuk është luftë në kuptimin e plotë modern të fjalës. Nëse Evropa zgjedh të fillojë një luftë, situata mund të arrijë shumë shpejt në një pikë ku nuk do të ketë më askënd me të cilin të negociojmë”, tha Putin.
Putin nuk la hije dyshimi për sa i përket rënies së qytetit strategjik ukrainas të Prokovskit.
“Ushtria ukrainase dhe ajo ruse i kushtuan rëndësi të veçantë atij qyteti, sepse nuk është vetëm një qendër e madhe infrastrukturore, kjo është një “trampolinë” e mirë për arritjen e të gjitha detyrave të Operacionit Special Ushtarak. Nga këtu, nga ajo trampolinë, nga ajo zonë, ushtria ruse ndihet e qetë duke lëvizur në të gjitha drejtimet që i konsideron më premtuese. Pikërisht për këtë arsye pala ukrainase e konsideroi atë një nga prioritetet në Republikën Popullore të Donetskut, si dhe, natyrisht, në Forcat e Armatosura Ruse”, shtoi ai.
Po ashtu me një ton hakmarrës Vladimir Putin kërcënoi se do t’i ndërpresë Ukrainës aksesin në det në përgjigje të sulmeve me dronë ndaj cisternave të “flotës në hije” të Rusisë në Detin e Zi.
“Zgjidhja më radikale është të shkëputet Ukraina nga deti, atëherë pirateria do të jetë e pamundur në parim”, tha Putin në një deklaratë televizive. Ai tha se Rusia do të intensifikojë sulmet ndaj objekteve dhe anijeve ukrainase dhe do të marrë masa kundër cisternave të vendeve që ndihmojnë Ukrainën.




