Hati dhe Jashari, çifti i pasur që reklamon jetën e tyre të luksit në rrjetet sociale, janë gjobitur nga policia, për shkak të tejkalimit të shpejtësisë së lejuar.
Masat janë marrë pas publikimit në rrjetet sociale të videove nga Hatixhe, ku tregon se ecën tej normave, e po ashtu ku shfaqet duke i kërkuar bashkëshortit që të shtojë shpejtësinë. Policia ka gjobitur çiftin, duke i hequr gjithashtu patentat për 6 muaj ndërsa po ashtu është bërë dhe sekuestrimi i mjetit luksoz “Porsche”.
“Bazuar në disa video të shfaqura në rrjetet sociale ku shihet një automjet i cili nuk rregullon shpejtësinë e automjetit duke u bërë rrezik për vete dhe për përdoruesit e tjerë të rrugës, me drejtues shtetasin J.S si dhe shtetasen H.B e cila drejton një automjet me fuqi motorrike më të madhe se ajo e lejuar sipas Kodit Rrugor, specialistët e Policisë Rrugore identifikuan dhe ndëshkuan me masë administrative këta dy shtetas si dhe bënë ndalimin administrativ të automjetit të shfaqur në video”, njofton policia.
Menjëherë pas kësaj, personazhi i rrjeteve sociale ka reaguar me disa foto të postuara në “Instagram”, ku shkruante: “Bravo policia për punën e lodhshme dhe të pandalur! Keni kapur kriminelen më të fortë sot për sot!”, teksa e shoqëronte me disa postime ironike si: “Jemi që jemi, po shkojmë për makinën e radhës! Apo ikim jetojmë në Dubai?”.
Por reagimet e saj nuk mbaruan këtu. Ajo vijon me ironitë ku shkruan: “Një rritje rrogash për policinë se kanë bërë alamet kapjeje 19-vjeçare”, teksa shprehet se “edhe në këto raste” e gjen kohën për të bërë vlog.
Mbrëmjen e 12 shtatorit, Hati bëri një tjetër postim, kësaj radhe në “TikTok”, ku tregon momentin e ndalimit nga policia dhe më pas shoqërimin për në komisariat. “Dikush nga ju më ka kallëzuar”, shprehet ajo në videon e saj.
Në fundin e postimit të saj, ajo “sulmon” policinë me ironi duke thënë: “Në fund të ditës e ‘hamë’ ne njerëzit e thjeshtë, ndërkohë këto kamikazët e rrugës nuk pësojnë asgjë.