I zgjedhuri i Donald Trump për postin e zëvendëspresidentit, senatori i Ohajos, JD Vance, iu prezantua kombit mbrëmjen e së mërkurës, si djalë i një qyteze të neglizhuar industriale në Ohajo, që do të luftojë për klasën punëtore. Duke përmendur kalvarin e tij të mundimshëm nga fëmijëria e vështirë, te forcat e marinës amerikane, shkolla prestigjioze e Yale dhe më pas senati, 39-vjeçari e përdori historinë e tij për të dëshmuar se i kupton betejat e njerëzve të thjeshtë.
“U rrita në Middletown, Ohajo, një qytezë e vogël ku njerëzit thonë atë që mendojnë, ndërtojnë me duart e tyre dhe e duan Zotin, familjen, komunitetin dhe vendin me gjithë zemër”.
Ai akuzoi politikanë të karrierës si presidenti Joe Biden, që siç tha ka qenë në politikë më shumë nga ç’ka jetuar, se po shkatërron komunitetet si në Miçigan, Uiskonsin dhe Pensilvani, përmes politikave të këqija tregtare me Kinën dhe luftëra të huaja.
Në fjalimin e mbajtur në ditën e 3 të konventës republikane në Miluoki, Vance theksoi se Trump ishte shpresa e fundit për amerikanët.
“Ai krijoi ekonominë më të fuqishme në histori për punëtoret. Pagat e punëtorë arritën majat, dhe imagjinoni se çfarë do të bëjë përgjatë 4 viteve të ardhshme”.
Vance i cili në të kaluarën ka qenë kundërshtar i zëshëm i Trump, duke e krahasuar atë edhe me Hitlerin, tha se ndihej i nderuar të shërbente krah 78-vjeçarit teksa u zotua të mos e marrë të mirëqenë besimin e dhënë prej tij.
I zgjedhur në Senat Vance ka kundërshtuar ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe ka mbrojtur përpjekjet e Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. Para fjalimit të Vance, skena e konventës u pushtua nga familjarë të kandidatëve, bashkëshortja e Vance, Usha, djali dhe mbesa e Trump.