Albania
“Do të marr dhitë dhe do të shkoj emigrante në Kosovë”/ Gerta Loku denoncon sërish propagandën e Ministrisë së Bujqësisë
Blegtorja dhe aktivistja Gerta Loku denoncoi sërish në media mungesën e politikave mbështetëse të Ministrisë së Bujqësisë për fermerët dhe blegtorët.
Loku shprehu hapur në emisionin “Kafe shqeto” pakënaqësinë për mungesën e përkrahjes nga qeveria, teksa ajo që shikon është vetëm një propagandë politike. Ajo solli rastin e Kosovës ku tha se fermeri atje është i lumtur sepse mbështetet nga qeveria, ndërsa tha me ironi se do të emigronte bashkë me dhitë në Kosovë.
“Të zgjohesh në mëngjes për vite e vite me radhë dhe të dëgjosh të njëjtën propagandë politike në televizor dhe shikon që kjo propagandë politike nuk arrin në terren, dhe jo vetëm tek unë, por tek gjithë pjesa më e madhe e të gjithë atyre femrevë që njoh, këtu them diçka nuk shkon. Këtu, në Shqipëri, sot fermerët janë një kategori shumë e pakënaqur nga ajo çfarë bëhet atje në Tiranë” u shpreh Loku.
Pak ditë më parë Gerta Loku tha se shpenzoi një shumë të konsiderueshme të hollash dhe shumë orë punë për të plotësuar dokumentacionin për të përfituar nga skema e subvencioneve IPARD të Bashkimit Europian, por nuk mori financim, sepse duhej paguar sekseri nën dorë.
“Ditën që do të dorëzoja dosjen, nuk më hapën telefonin. Skema funksionon e tillë: Duhet të gjesh një sekser që të sigurojë fondin në këmbim të 30% të vlerës së subvencionit. Duke qenë person i njohur në publik dhe aktiviste nuk më ofrohet as sekseri” tha Loku, e cila nuk ka përfituar nga skema IPARD edhe pse i plotëson kushtet.
Vitet e fundit, fondet nga skema IPARD në bujqësi janë rritur. Këtë vit, nga ky program janë në dispozicion 42 milionë euro, gati 30% më shumë se vitin e kaluar. Por shpërndarja nuk është e tillë që të mbështesë zhvillimin e klasterit, qoftë në bujqësi apo blegtori, me qëllim zhvillimin e të gjithë zinxhirit të një produkti në një zonë ku fizibiliteti është i lartë.
Vitin e kaluar, financimet nga skema kombëtare ishin 1,5 miliardë lekë nga rreth 1 miliard lekë në vitin 2021. Rreth 6,211 blegtorë përfituan nga Skema e Mbështetjes, në vitin 2022, kundrejt 4 316 blegtorëve që përfituan në vitin 2021.
Skema Kombëtare që aplikohet nga AZHBR mbështet fermat mbi 100 krerë dele dhe/ose dhi, shkon në vlerën 1200 lekë/krerë, por jo më shumë se 360 000 lekë për subjekt. Ndërsa për fermat me jo më pak se 10 krerë lopë, mbështetja është në vlerën 10 000 lekë/krerë, por jo më shumë se 500 000 lekë për subjekt.Një raporti i FAO-s (dega e ushqimit në OKB) tregon se fermerët shqiptarë marrin vetëm 3 euro mbështetje direkte për hektar nga shteti, ndërsa 42 euro shkojnë për institucionet dhe subjektet që monitorojnë sektorin e bujqësisë.
Kjo është e kundërta e situatës në vendet e tjera, ku pjesa më e madhe e fondeve shkojnë drejtpërdrejt te fermeri. Në Kosovë, 69 euro për hektar shkojnë për fermerin dhe 54 euro për administratën, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë, 66 euro për hektar i shkojnë fermerit dhe 60, administratës.
Mesatarisht, vendet e Ballkanit Perëndimor u dhanë fermerëve të tyre rreth 53 euro për hektar, ndërsa në Shqipëri, kjo shifër ishte 18 herë më pak, me vetëm 3 euro. Raporti i FAO-s thekson se qeveria ofron shumë pak në mënyrën e financimit publik për fermerët dhe paratë e përcaktuara për këtë sektor nuk shkojnë aty ku duhet.
Me këtë nivel financimi, në raport thuhej se shteti nuk ofron asistencë të mjaftueshme për fermerët, për të përballuar konkurrencën në treg, për të parandaluar shpopullimin rural, apo për të rritur produktivitetin. Si i tillë, vendi duhet të rrisë urgjentisht financimin e drejtpërdrejtë dhe të përmirësojë funksionimin e institucioneve, në mënyrë që fondet të absorbohen siç duhet.
Për të përmbushur kriteret e BE-së, Shqipëria duhet të ndajë ekuivalentin me një të tretën e asaj që pret në financimin e BE-së.
Prandaj, Shqipëria duhet të pesëfishojë alokimin e saj për bujqësinë. Puna në bujqësi është e vështirë, por në Shqipëri është edhe stresuese. Fermerët shqiptarë janë të ekspozuar nga ndryshimi i klimës, mungesa e ekspertizës, laboratorëve, certifikimeve etj.
Albania
Elozhi i kujtesës
nga Mira Meksi Shkrimtare
Shënime mbi romanin ‘Engram’të Brunilda Zllamit
Shpesh kam thënë se për t’u mirëdrejtuar në xhunglën ngalakeqe të botimeve të sotme letrare, duhet feneri i filozofit cinik Diogjenit. Ndërsa ai kërkonte ‘njeriun’, sot kërkohet ‘libri letrar’. As me këtë fener në dorë nuk është e lehtë të gjendet. Mbetesh gjembaçve dhe drizave të botimit të gjithkujt që, me mendjelehtësi fëmijërore, a me shpresë se do të bëhet i pavdekshëm, i futet mjeshtërisë së tejvështirë të shkrimësisë, pa patur as më të voglën përgatitje, dhe pa asnjë grimcë talenti. Rezultati është një tmerr i vërtetë, i cili jo vetëm e ka qorollisur lexuesin, që po thyen këmbët hendekëve të librave të shkruar tmerrësisht keq, duke ia neveritur letërsinë shqipe, por edhe po dëmton rëndë gjuhën shqipe.
Në këtë panoramë të zezë të letërsisë së sotme shqipe, ka sigurisht libra të shkruar shumë mirë dhe mirë, që feksin si dritëza në errëtinë e kësaj panorama, dhe që japin shpresë për të ardhmen e letërsisë së gjuhës sonë. Ndër këto të pakta drita, për mua, është edhe romani më i fundit i shkrimtares së njohur Brunilda Zllami, Engram. Romani është realist, siç janë në përgjithësi romanet e kësaj autoreje, me elementë të shumtë dhe të spikatur të romanit psikologjik. Trajton tema, ngjarje, probleme dhe plagë të shoqërisë së sotme shqiptare, por edhe më gjerë – probleme që prekin vetë Njeriun.
Janë përsiatje mbi marrëdhëniet prind-fëmijë, mbi botë që nuk afrohen, përkundrazi: një baba që mundohet të formësojë jetën e të birit në çdo aspekt, sikur të ishte jeta e tij, apo ajo pjesë e jetës së tij që e kish dëshëruar pa e arritur dot kurrë. Duke e damkosur kësisoj jetën e të birit me fatkeqësi.
Janë përsiatje mbi hipokrizinë njerëzore, arrivizmin, moralin e nëpërkëmbur, etjen e shfrenuar për pushtet, për para- fëlligështia e njeriut e ngritur në lartësinë e vlerës në shoqërinë moderne shqiptare.
Janë përsiatje mbi dashurinë, të gjitha llojet e dashurisë: dashuritë e pamundura, të rrezikuara, dashuritë e zhbëra, ato të pavërteta, dashuritë e helmëta, dashuritë jetëshkurtra, dhe ato që lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirt. Dashuritë që të shpëtojnë jetën dhe ato që të vrasin…
Janë përisatje mbi pendesën: ‘Pendimet janë të rënda. Si gurë të çrregullt futur në një trastë që je i detyruar ta mbash në supe…..Pendimet janë të hidhura. Si lot që nuk ke derdhur, si fjalë që s’kanë buruar prej teje, si ofshama që i ke mbytur brenda’.( Engram)
Janë përsiatje mbi përballjen e njeriut me sëmundjen, me pafuqinë, me bjerrjen e trupit dhe shpirtit, me humbjen e Kujtesës. Me keq se vetë vdekja.
Janë përsiatje mbi vetsakrifikimin për të mbrojtur me vdekje dashurinë që zhbëhet nga sëmundja.
Mjeshtre e zhbirimit të psikës njerëzore, Zllami prek tejzat e trurit, pret me bisturi, rrëmon lëndën gri për të gjetur djepin, skutën, matricën e Kujtesës. Engramin. ‘ Ku jetojnë kujtimet? Në mendje, shpirt, pafundësi? Janë vetëm pjesë e qenies sonë, apo një pjesëz e koshiencës universale? Çfarë është njeriu pa kujtime?’. ‘Çfarë janë engramët? Pyet autorja dhe përgjigja vjen: ‘Janë vendi ku ruhen kujtimet’( Engram)
Personazhet në roman janë të shumtë, gjallojnë në Londër dhe Tiranë. Autorja përdor një strukturë që ka dalë të jetë e suksesshme në romanet e saj: kapituj sërë-sërë ndërtojnë secili nga një personazh, të ri gjithsaherë, si rrezet e një dielli, që konvergojnë në diell, pra në një pikë – arena ku bashkëveprojnë me njëri-tjetrin.

Pjesa më e madhe e ngjarjeve rrëfehet në retrospektivë, me anë të kujtesës a kujtimeve. Pjesët onirike të librit, sentencat e tij mbi gjithë sa thamë më sipër, janë të mrekullueshme.
Larg së qeni optimist, romani të mëkon gjithsesi me shpresën, të cilën e vendos pikërisht në ENGRAM:
‘Kujtimet janë vetja jonë. Ato na mbajnë kur mund të biem, na ngrenë kur rrëzohemi, na kthejnë në jetë kur vdesim. Të endura nga engramët si fatkrijueset e dikurshme…Janë ato që shkruhen me bojën e yjeve që na krijuan, e mbeten edhe kur jemi larguar’.( Engram)
Romani ‘Engram’, i pazakontë, i rrallë në llojin e vet, ka një gjuhë të pasur dhe fort të limuar, një shqipe të stolisur me metafora dhe fjalëformime elegante, e cila është në gjendje të mbartë dhe të na përçojë emocione të mëdha.
Albania
Anomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
Buxheti i shtetit po “vuan” nga një sëmundje kronike. Taksat mblidhen, por nuk shpenzohen. Të dhënat flasin se vetëm për muajin dhjetor fondet buxhetore që duhen të shpenzohen janë afro 2 miliardë euro. Ky përqendrim i fondeve vetëm në një muaj, për ekspertin e ekonomisë Albert Gajo, tregon anomali. I ftuar në emisionin E-ZONE, z. Gajo tha se shkaku kryesor vjen nga keqplanifikimi.
“Zbatimi i buxhetit me akte normative nuk është një tregues normal, është një tregues për një realitet anormal. Në plan të parë, kjo situatë vjen nga keqplanifikimi. Ministria përgjegjëse ka dëshmuar ndër vite që nuk ka mundur të planifikojë si duhet buxhetin, çka do të thotë se po ia lëmë rastësisë dhe, në varësi të asaj që sjell koha, hartojmë aktet normative. Kjo nuk është e shëndetshme ekonomikisht” – tha Gajo.
Gjatë kësaj jave, qeveria me aktin e katërt normativ ndryshoi sërish buxhetin. Në fokus ishte ndarja e një bonusi prej 15 mijë lekësh për familjet në nevojë.
Paralelisht, përveç bonusit, pati edhe një rishpërndarje të fondeve, ku një fond i konsiderueshëm i pashpenzuar kaloi në llogarinë e posaçme të hapur pranë Bankës së Shqipërisë për skemën e pensioneve.
“Pas keqplanifikimit, një tjetër arsye pse jemi në këtë situatë është edhe aftësia e administratës publike për të zbatuar në kohë zërin e investimeve. Vonesat në lidhje me realizimin e investimeve publike lidhen edhe me mungesën e profesionalizmit të stafit në agjencitë publike. Jemi një vend që po kërkojmë të hyjmë në BE, por nuk po i përdorim si duhet fondet tona të brendshme, ndërkohë që duhet edhe të përthithim ndihma fondesh nga BE-ja” – tha Gajo.
Eksperti Gajo thotë më tej se bonuset janë një politikë e paqëndrueshme, pra individët nuk mund të bëjnë dot parashikime të shpenzimeve, pasi nuk kanë qartësi. Ndaj, një praktikë e tillë, edhe pse e domosdoshme për familjet në nevojë, nuk është e këshillueshme të zhvillohet në mënyrë rastësore.
Albania
VIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
Një protestë ka ndodhur në ambientet e teatrit “Petro Marko” në Vlorë për shkak të mungesës së ujit prej tre ditësh.Qytetarët janë futur në ambientet e teatrit dhe kanë ndërprerë gjithashtu një mbrëmje gala që zhvillohej aty.
Ata u futën me bidonë dhe pankarta në duar për të kërkuar rikthimin e ujit, ndërkohë që mbrëmja gala u ndërpre pasi protestuesit refuzuan të linin ambientet e teatrit.
-
Albania1 day agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Albania7 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania7 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
-
UK1 day agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania9 hours ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
-
UK7 hours ago
Princi William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
-
Bota7 hours agoPresidenti i Ukrainës, Zelensky mbërrin në Mar-a-Lago, takohet me presidentin Trump
-
Kosova7 hours agoNumërohen 81% e kutive të votimit në Kosovë: Albin Kurti drejt mandatit të tretë si kryeministër
