Dokumente të deklasifikuara të publikuara nga National Security Archive, pranë Universitetit George Washington, zbulojnë se ish-presidenti amerikan Bill Clinton i kishte bërë një propozim befasues presidentit rus Vladimir Putin në vitin 2000: anëtarësimin e Rusisë në NATO.Sipas transkriptit të bisedës mes dy liderëve, zhvilluar më 4 qershor 2000 në Kremlin, Clinton siguroi Putinin se zgjerimi i NATO-s nuk përbënte kërcënim për Rusinë, dhe theksoi se ishte i hapur për të diskutuar pjesëmarrjen e Rusisë në aleancën ushtarake perëndimore.
“Që në fillim e kam ditur se zgjerimi i NATO-s mund të shihej si problem nga Rusia. Por dua të jetë e qartë: NATO nuk është kërcënim për ju. Jam serioz kur them se jam i gatshëm të diskutoj për anëtarësimin e Rusisë në aleancë,”, thuhet në deklaratën e Clinton, sipas dokumentit të përgatitur nga Shtëpia e Bardhë.
Ish-presidenti amerikan vlerësoi rivendosjen e marrëdhënieve mes Rusisë dhe NATO-s si “plotësisht të normalizuara” dhe sugjeroi që nëse të dy palët do të vazhdonin të shihnin njëra-tjetrën si kërcënim, do të humbisnin mundësinë për të zgjidhur së bashku sfida të tjera globale.
Marrëdhënie të tensionuara pas luftës në Kosovë
Takimi Clinton–Putin ndodhi vetëm pak më shumë se një vit pas fushatës ajrore të NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999, ndërhyrje që kishte si synim ndalimin e spastrimit etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë. Aksioni i NATO-s kishte përkeqësuar ndjeshëm marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, që kundërshtonte fuqishëm ndërhyrjen.