Raporti strategjik i drejtuar nga ish-kreu i NATO-s, Lord George Robertson, paralajmëron se Moska po përdor Serbinë, rrjetet e inteligjencës dhe aleatët lokalë për të destabilizuar rajonin dhe për të sfiduar aleatët e NATO-s…
Një material strategjik britanik, i hartuar nga ekspertë të lartë të sigurisë nën drejtimin e Lord George Robertson, paralajmëron për një agresion të tërthortë rus në Ballkan, me Serbinë si qendër të operacioneve inteligjente, paraushtarake dhe ekonomike. Dokumenti përmend edhe Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut si vende ku Moska synon të zgjerojë influencën. Analiza vjen në një moment kur deklaratat dhe lëvizjet e kryeministrit Edi Rama, përfshirë takimin me aleatin kryesor të Putinit, Aleksandër Llukashenko, kanë ngritur shqetësime tek partnerët perëndimorë. Raporti pasqyron rritjen e dezinformimit pro-rus në media pranë mazhorancës dhe thekson se Rusia po përdor Serbinë për të furnizuar armë, për të rekrutuar luftëtarë dhe për të organizuar rrjete të inteligjencës në rajon. Dëshmitë e krizës së Banjsksë në Kosovë dhe tentativës për grusht shteti në Mal të Zi tregojnë se Ballkani mbetet një nga pikat më të cenueshme të sigurisë në Evropë. Në këtë kontekst, Britania kërkon rol të ri udhëheqës dhe u kërkon vendeve të rajonit të pozicionohen qartë në krahun euroatlantik.
Një material strategjik britanik i publikuar së fundmi nga një grup ekspertësh të lartë të sigurisë thekson se Rusia ka futur tentakulat e saj në Ballkan dhe po ushtron agresion të tërthortë ndaj aleatëve të NATO-s në rajon. Dokumenti është nënshkruar nga ish-kreu i NATO-s, Lord George Robertson, një nga figurat më me peshë në arkitekturën e sigurisë euroatlantike.

Në analizën kryesore, Robertson i bën thirrje Britanisë së Madhe të marrë një rol udhëheqës në Ballkan për të frenuar atë që ai e quan “agresion i tërthortë rus”, i cili po zgjerohet përmes rrjeteve politike, ekonomike dhe paraushtarake. Sipas materialit, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina mbeten pikat më të forta të ndikimit rus, ndërkohë që përmenden edhe vende anëtare të NATO-s; Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, si shtete ku Moska kërkon të hapë korridore ndikimi.
Qëndrimet britanike vijnë në një moment kur deklaratat e kryeministrit shqiptar Edi Rama kanë krijuar dyshime të ndjeshme tek aleatët. Përmendja e disa qëndrimeve pro-ruse në intervista dhe takimi me presidentin e Bjellorusisë, Aleksandër Llukashenko, aleatin më të afërt të Vladimir Putinit, gjatë një samiti në Azerbajxhan, kanë ngritur pikëpyetje për pozicionimin e Tiranës në kontekstin e sotëm gjeopolitik. Në atë takim ishte i pranishëm edhe presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed.
Në të njëjtën linjë, një pjesë e mediave pranë mazhorancës janë shfaqur kohët e fundit si mbështetës të hapur të narrativës ruse, duke sulmuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe duke qarkulluar materiale që burojnë nga apparati propagandistik i Kremlinit. Pjesë të këtyre narrativave tentojnë të shtrembërojnë realitetin e luftës, përfshirë pretendime të pavërteta për popullsinë e Ukrainës apo gjeopolitikën e konfliktit.
Materiali britanik detajon se Rusia ruan prani të fortë inteligjence dhe kapacitete paraushtarake në Serbi. Beogradi është furnizues kyç i armëve ruse dhe kineze në Evropë dhe partner i Drejtpërdrejtë i Moskës në operacione të inteligjencës që synojnë frenimin e zgjerimit të NATO-s në Ballkan. Serbia është gjithashtu nyja qendrore e tranzitit të vullnetarëve që i bashkohen forcave pushtuese ruse në Ukrainë; një pjesë e tyre rekrutohen më pas nga shërbimet e inteligjencës ruse. Qendra Humanitare Ruse në Nish shërben prej vitesh si bazë operative dhe si maskim për aktivitetet strategjike të Moskës në rajon.
Pas nisjes së agresionit rus kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Ballkani Perëndimor është identifikuar nga qeveria britanike si zonë e cenueshme për ndërhyrje të rritura ruse. Zëvendëskryeministri britanik David Lammy ka shprehur të njëjtat shqetësime, duke theksuar nevojën për monitorim dhe angazhim të vazhdueshëm.
Në Kosovë, bashkëpunimi i Serbisë me Rusinë ka prodhuar krizën më të rrezikshme të sigurisë në Evropë jashtë fronteve të Ukrainës. Sulmi paraushtarak në Banjskë në shtator 2023, i kryer nga ekstremistë të armatosur me lidhje të drejtpërdrejta me qeverinë e Vuçiçit, shkaktoi tre viktima, përfshirë një polic të Kosovës. Lëvizjet e trupave serbe drejt kufirit ushqyen frikën për një ndërhyrje të mundshme, duke sjellë një qortim të fortë publik nga administrata Biden.
Në Malin e Zi, një vend anëtar i NATO-s që nga viti 2016, ndikimi serbo-rus mbetet i thellë dhe i konsoliduar. Që nga tentativa për grusht shteti në vitin 2016, e organizuar pjesërisht nga operativë rusë dhe serbë, vendi është përballur me rritje të aktiviteteve të rrjeteve politike dhe ekonomike të lidhura me Kremlinin. Si në Serbi, edhe këtu kompanitë e interesit rus operojnë për të anashkaluar sanksionet dhe për të ruajtur influencën ekonomike dhe mediatike.
Këto zhvillime konfirmojnë analizën britanike: Rusia nuk synon vetëm krijimin e destabilitetit lokal, por kërkon të rrezikojë aleancat euroatlantike dhe të krijojë hapësira ndikimi në zonat e dobëta politike dhe institucionale. Ballkani mbetet një nga këto hapësira dhe Shqipëria nuk është përjashtim. Rritja e zërave pro-Kremlinit, afërsitë diplomatike të pakontrolluara dhe mungesa e transparencës strategjike krijojnë terren të hapur për ndërhyrje të huaja.
Materiali britanik është thirrje e qartë për rishikim të politikave të sigurisë në rajon dhe paralajmërim për qeveritë e Ballkanit. Në këtë kontekst, kërkohet që edhe Tirana të pozicionohet pa ekuivok si aleate e plotë e Perëndimit dhe të shmangë çdo lëvizje që mund të interpretohet si devijim nga boshti euroatlantik.




