Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se do të zhvillojë një bisedë me presidentin rus Vladimir Putin “shumë shpejt”. “Siç e dini, kemi ndërmarrë masa shumë të forta, në disa drejtime. Por do të flas me të gjatë ditëve në vijim dhe do të kuptoj saktësisht çfarë ka ndodhur”, tha ai.
Trump u shpreh optimist për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë. “Besoj se do të arrijmë një zgjidhje të mirë për këtë luftë. Lufta është një gjë e çuditshme. Nuk e di kurrë si do zhvillohet. Është e ndërlikuar, e rrezikshme, dhe një rrëmujë e vërtetë. Një rrëmujë e përgjakshme. Gjithsesi, kjo do të përfundojë, në një mënyrë apo në një tjetër. Por duhet të ndalet vrasja e gjithë këtyre shpirtrave”, shtoi ai.
Deklaratat Trump i bëri nga Shtëpia e Bardhë në prani të Presidentit polak Karol Nawrocki
Presidenti amerikan Donald Trump ka folur nga Zyra Ovale, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki.
I pyetur për paradën ushtarake në Pekin, Trump e cilësoi si një “ceremoni të bukur” dhe “jashtëzakonisht mbresëlënëse”.
“E kuptova pse e organizuan. Shpresonin që unë ta shihja. Dhe unë e pashë”, shtoi ai.
I pyetur nëse ishte i zhgënjyer që nuk ishte ftuar në paradë, Trump tha: “As që më kishte shkuar në mendje deri tani. Nuk do të ishte vendi im aty.”
Ndalur te presidenti rus Vladimir Putin, i pyetur nëse kishte një mesazh për të, Trump u përgjigj se nuk ishte e nevojshme. Ai paralajmëroi veprime nëse SHBA nuk do të jetë e kënaqur me vendimet e Putinit.
“Ai e di mirë se ku qëndrojë. Do të marrë një vendim, në një mënyrë apo tjetër. Çfarëdo që të vendosë, ne ose do të jemi të kënaqur, ose jo. Dhe nëse nuk do jemi të kënaqur, do t’i shihni gjërat të ndodhin”, theksoi ai.