Presidenti Donald Trump tha në një postim në mediat sociale se Dan Bongino, një drejtues konservator i një talk show, do jetë zëvendësdrejtor i FBI-së.
Bongino do t’i bashkohet Kash Patel, i cili së fundmi u konfirmua nga Senati. Trump tha se Bongino u emërua për këtë rol nga Patel. Pozicioni nuk kërkon konfirmim nga Senati, shkruan Reuters.
“Lajm i mirë për Zbatimin e Ligjit dhe Drejtësinë Amerikane”, postoi Trump në rrjetin e tij të mediave sociale, Truth Social, duke e quajtur Bongino “një njeri me dashuri dhe pasion të jashtëzakonshëm për vendin tonë”.
Bongino ishte më parë një punonjës i policisë së qytetit të Nju Jorkut dhe një anëtar i Shërbimit Sekret të SHBA. Ai kohët e fundit ishte i njohur si një prezantues konservator radioje dhe podkaster.
Trump tha në postimin e tij se Bongino është “i përgatitur të heqë dorë” nga programi i tij ndërsa hyn në rolin e ri.
“The Dan Bongino Show” ishte së fundmi podkasti i 56-të i renditur në Shtetet e Bashkuara, sipas Spotify.
Ai drejton një podcast me emrin e tij, postimet e të cilit në Facebook shpesh tërheqin më shumë vëmendje sesa ato të Fox News dhe CNN së bashku.
“Faleminderit zoti President, Prokurore e Përgjithshme Bondi dhe Drejtor Patel”, shkroi Bongino në X në një postim pas shpalljes së Trump.
Bongino, i cili ka kandiduar tre herë për Kongres, e kishte ftuar Trump-in në podcast-in e tij ditor, The Dan Bongino Show, para zgjedhjeve të vitit të kaluar.
Episodet e programit të tij gjatë javës së fundit përfshijnë tituj si “Trump vazhdon të sjellë rezultate dhe liberalët po tërbohen” dhe “E vetmja kategori njerëzish që e duan krimin janë kriminelët”.
Duke folur për karrierën e tij si komentator politik konservator, Bongino tha në vitin 2018: “Jeta ime tani ka të bëjë vetëm me ‘t’i bëj liberalët të çmenden’”. Me stilin e tij luftarak, shpesh Bongino debaton me kritikët e Trump-it, mes tyre edhe me shkrimtarin e zhanrit horror, Stephen King.
Shefi i ri i Bonginos në FBI, Patel, u konfirmua javën e kaluar me një rezultat të ngushtë nga Senati për të drejtuar agjencinë e zbatimit të ligjit, të cilën ai e ka kritikuar prej kohësh.
Demokratët kishin paralajmëruar se ai do të kërkonte hakmarrje kundër armiqve të Trump-it, megjithëse ish-prokurori ka mohuar çdo plan për të ndjekur hakmarrje politike dhe ka premtuar se do ta “rindërtojë” byronë.