E premtja mbrëma ishte finalja e spektaklit të Big Brother Vip, ku mes duelit “Ilir-Donald”, fitimtar doli balerini Ilir Shaqiri.
Por ky rezultat ka lënë jo vetëm të zhgënjyer Donald Veshajn, por duket se pakënaqësitë kanë qenë aq të mëdha sa ai dhe skuadra e tij mbështetëse mendojnë se ky vendim nuk ka qenë verdikti i publikut, duke lënë të nënkuptohet se produksioni ka qenë i njëanshëm.
Pas spektaklit, kanë qenë miqtë e Donaldin, mes të cilëve këngëtari Elgid Doda ku përmes një statusi në Instagram ka shkruar se “nuk hahet haku i një populli”.
Po ashtu irritim është vërejtur edhe tek vëllai i Donaldit, Romeo, i cili po aq shumë mendon se kjo fitore i takonte Donaldit.
Por duket se krisjet kanë qenë edhe më të mëdha e serioze me produksionin, pasi Romeo ka fshirë nga Instagrami i tij (ose e ka hequr përkohësisht), videon promovuese të emisionit që ai bashkë me Donaldin do të bënin në Top Channel, duke lindur kështu dyshimet se vëllezërit kanë hequr dorë nga ky emisionin pas fitores së Ilirit.
Nga ana tjetër edhe Donaldi shihet se ka hequr nga miqtë e Instagramit moderatoren Arbana Osmani dhe anëtarë të tjerë të rëndësishëm të produksionit.
Në disa mesazhe që ka dhënë Donaldi në rrjetet e tij sociale pas daljes nga shtëpia, ai ka pohuar se edhe pse nuk e ka fituar çmimin e madh, ka vendosur të bëjë një akt bamirësie duke ndërtuar 4 banesa për familjet në nevojë, 2 në Shqipëri dhe 2 në Kosovë.
Daljen nga shtëpia më e famshme në Shqipëri, ai e festoi mes miqsh e fansash në një festë të organizuar në një lokal nate në kryeqytet.
Por ndërsa “skuadra e Donaldit” ka pasur hatërmbetje me produksionin dhe ka organizuar vetë festa të mëdha për t’u gëzuar mes miqsh e fansash, nga ana tjetër Ilir Shaqiri ka qenë më i rezervuar, së paku në rrjetet sociale.
Në një video të postuar më herët ai shfaqet bashkë me këngëtarin dhe mikun e tij tashmë, Sabianin, duke “festuar” me bukë, djathë e domatë.