Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar të mërkurën dorëheqjet e serbëve nga institucionet e Kosovës duke thënë se vakumet duhet mbushur me “aplikime të reja për punë”.
Qindra serbë të Kosovës nga katër komunat veriore të vendit, që nga fillimi i nëntorit kanë dhënë dorëheqje nga disa institucione të Kosovës, përfshirë Policinë, Gjyqësorin, si dhe në nivel politik në komuna dhe në Kuvendin e Kosovës.
Dorëheqjet u bënë në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës që kërkonte riregjistrimin e targave të veturave që lëshohen nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës në RKS.
Kryeministri Kurti, i thirrur në një interpelancë në Kuvendin e Kosovës, i quajti dorëheqjet vendim politik.
Duke folur specifikisht për dorëheqjet e 578 zyrtarëve policorë që vijnë nga komuniteti serb në Kosovë, ai tha se dorëheqjet janë bërë “për arsye të paqena”.
“Thoshin morale e individuale e teksti i njëjtë për secilin prej tyre”, tha Kurti duke komentuar tekstin, me të cilin kanë dhënë dorëheqje këta zyrtarë.
Kurti tha gjithashtu se “nuk është e vërtetë që në veri të Kosovës nuk ka Polici”, pas dorëheqjes së serbëve.
“Nuk ka ndërtesë të Policisë pa Polici të Kosovës. Policia jonë është atje. Edhe nëpër rrugët atje ka Polici të Kosovës”, tha Kurti.
Ai tha se vazhdimisht bën thirrje që serbët të mos largohen nga institucionet e Kosovës, mirëpo sipas tij, nuk mund të bëhet thirrje politike për kthim.
“Aty ku ka vakum duhet të ketë aplikime të reja për punë. Vendimi politik i dorëheqjes nuk mund të pasohet me thirrje politike për kthim, por me aplikim profesional”, tha Kurti.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 24 nëntor konfirmoi se serbët nga veriu i Kosovës do të kthehen në institucionet e Kosovës kur të plotësohet kushti i dytë, pra të formohet Asociacioni. Ky Asociacion është dakorduar në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por është i papranueshëm për Qeverinë e Kosovës, sepse e sheh atë si trup monoetnik./rel