1026 ushtarë të Brigadës së 36-të Detare të Ukrainës janë dorëzuar në Mariupol. Lajmin e ka konfirmuan Ministria ruse e Mbrojtjes, sipas të cilës mes të dorëzuarve janë edhe 162 oficerë.
“Në qytetin e Mariupol, pranë uzinës së hekurit dhe çelikut Ilyich, si rezultat i ofensivave të suksesshme nga forcat e armatosura ruse dhe njësitë e milicisë së Republikës Popullore të Donetskut, 1026 ushtarë ukrainas të Brigadës së 36-të Detare vullnetarisht ulën armët dhe u dorëzuan”, thuhet në deklaratën e Ministrisë ruse të Mbrojtjes.
Deri më tani nuk ka asnjë koment nga zyra e presidentit ukrainas, Shtabi i Përgjithshëm ukrainas apo Ministria e Mbrojtjes. Shtabi i përgjithshëm i Ukrainës, në raportin e tij të mëngjesit, tha se forcat ruse po vazhdonin sulmet në Mariupol.
Rusia tha se 151 ushtarë ukrainas të plagosur u trajtuan në vend dhe u dërguan në spitalin e qytetit të Mariupolit.
Reuters raporton se më parë udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov ka thënë se më shumë se 1,000 marinsa ukrainas ishin dorëzuar dhe ai u kërkoi forcave të mbetura në fabrikën e çelikut Azovstal të dorëzoheshin.
Televizioni rus kishte shfaqur fotografi ku tregonte marinsat që dorëzoheshin në Illich Iron and Steel Ëorks në Mariupol të martën.
“Brenda Azovstal për momentin ka rreth 200 të plagosur të cilët nuk mund të marrin asnjë ndihmë mjekësore”, tha Kadyrov në postimin e tij. “Për ta dhe për të gjithë të tjerët do të ishte më mirë t’i jepej fund kësaj rezistence të kotë dhe të shkonin në shtëpi te familjet e tyre.”
Në një postim në Facebook të hënën, ushtarët e fundit ukrainas që mbronin Mariupolin thanë se atyre po u mbaronin municionet dhe pritej të vriteshin ose të kapeshin rob shumë shpejt.
“Ne u bombarduam nga avionët dhe u qëlluam nga artileria dhe tanket. Ne kemi bërë gjithçka të mundshme dhe të pamundur. Por çdo burim ka potencial të mbarojë”, tha brigada e 36-të.