Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka një rol të dorës së parë në privatizimin e aksioneve të shoqërisë publike “Buka” dhe tjetërsimin e truallit mijëra metra katrorë në favor të biznesmenit Lirim Fezollari.
Siç ka raportuar më herët “Boldnews.al”, Veliaj i ka dhënë Fezollarit leje për ndërtimin e një qendre tregtare në zonën e “5 Majit” në Tiranë, ndërkohë që çështja e pronësisë së truallit ishte objekt shqyrtimi në gjykatat shqiptare. Kryebashkiaku i Tiranës nuk ka pritur vendimin përfundimtar të formës së prerë. Por, ka miratuar lejen pavarësisht se trashëgimtarët e familjes Myderizi kishin fituar të drejtën e pronësisë mbi trojet e ish-ndërmarrjes publike, “Buka” sha.
Lidhur me hetimin, deri më tani janë ngritur akuza penale vetëm ndaj ndaj ish-ministrit të Financave Arben Ahmetaj, i cili është në kërkim ndërkombëtar edhe për një procedim penal të nisur si pjesë e “dosjes së Inceneratorëve”.
Për dosjen “Buka” foli këtë të premte kreu i PD-së Sali Berisha, i cili hodhi akuza se ekzistojnë mesazhe që Veliaj ka shkëmbyer me Fezollarin, që inkriminojnë kryetarin e Bashkisë Tiranë.
“… në aktpadinë e dytë kundër Arben Ahmetajt, për fabrikën e miellit, çfarë po ndodh? Në kontrollin që i është bërë korrespondencës së pronarit të ri të fabrikës së bukës, i janë gjetur një seri mesazhesh që Erion Veliaj i dërgon këtij zotërisë duke i thënë që këto para dërgoji në filan vend, këto të tjerat dërgoji në X vend”, tha Berisha në një konferencë për mediat nga selia blu.
Ai denoncoi se ka angazhim politik për zhdukjen e mesazheve.
“Taulant Balla personalisht po merret me zhdukjen e këtyre mesazheve. Ua them me përgjegjësi të plotë. Kështu që SKAP-i është një qendër manipulimi të pashembullt. Por prapë kjo nuk do na pengojë ne, sikundër nuk na pengoi denoncimi në këtë rast i këtij akti, të denoncojmë çdo akt. Sepse në një anë është SKAP-i, në anën tjetër është publiku. SKAP-i nuk vepron se nuk e kontrollon Edi Rama, por të paktën publiku të gjykojë”, deklaroi kryedemokrati.