Kryeministri Edi Rama thotë se e ka të lehtë se ku ta çojë peshoren e besimit, tek Ilir Meta që mohon dhe akuzon apo tek autoriteti i dosjeve që është i bindur se ish-presidenti është shtetasi I.M i dalë në dosjet e Sigurimit të Shtetit.
Madje, Rama thotë se vetë Meta e ka mbështetur vajtjen në krye të këtij autoriteti të zonjës Genta Sula, ndërsa Rama e kishte gjetur CV-në e saj mbresëlënëse.
Kreu i qeverisë mohon akuzat që autoriteti veproi nën urdhrat e tij ditën që Meta la zyrën e presidencës. Në shënimin e tij të gjatë në Facebook, Rama gjen edhe një shteg për diversion mes dy aleatëve opozitarë Ilir Meta dhe Sali Berisha
“Fakti është se Autoriteti i Informimit mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, po sulmohet dhe shantazhohet egërsisht nga Ilir Meta apo Metaj, si edhe natyrisht nga i Pakalluri Non Grata. Ky tjetri, që njësoj si i pari, po bën si zakonisht hajdutin që bërtet me të madhe kapeni hajdutin, ka shumë gjasë që po bën një rrugë e dy punë, pra po fsheh edhe dorën, pasi mesa duket e ka hedhur edhe gurin e shejtanllëkut të tij në këtë vorbull, si njohës i kahershëm i të shkuarës së politikanit me iniciale I.M”.
Rama thotë se Meta, në vend që të sulmojë autoritetin duhet të mbështesë kërkesën e tij për të ndryshuar ligjin që deri tani pengon hapjen e dosjeve të politikanëve të cilët janë verifikuar nga komisioni Mezini a Bezhani.
Me ato ndryshime i hapet rruga një hetimi të plotë mbi aktivitetin e bashkëpunëtorit me inicialet I.M në shërbim të Sigurimit të Shtetit. Dhe kjo duhet jo vetëm për këtë bashkëpunëtor, po edhe për të tjerë me iniciale të tjera, të cilët deri më sot e kanë fshehur identitetin e tyre, pas klauzolës së privilegjit që u ka krijuar kontrolli kaotik e politik i viteve ’90”.
Madje, kreu i qeverisë është gati që ndalimi të përfshihet edhe në ligjin e dekriminalizimit.
“Po, patjetër, Kuvendi duhet të diskutojë mbi idenë e hedhur që edhe spiunët e Sigurimit të kthehen në subjekte të Ligjit për Pastërtinë e Figurës së të Zgjedhurve (i quajtur ndryshe Ligji i Dekriminalizimit). Historia e kësaj thele mbi bishtin e gjatë e të neveritshëm të Sigurimit të Shtetit është sa befasuese dhe e trishtë në shëmtinë e saj, aq edhe motivuese për një reagim konstruktiv ndaj të shkuarës, përmes institucioneve të shtetit demokratik”, shkruan Rama.
Të premten, mazhoranca depozitoi në Kuvend nismat ligjore të kërkuara nga Autoriteti i Dosjeve.