Ish-ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara, Peter Mandelson, është arrestuar nga policia e Londrës nën dyshimin për shpërdorim detyre.
Arrestimi vjen pas publikimit të dokumenteve të Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, të lidhura me financierin dhe të dënuarin për abuzim seksual, Jeffrey Epstein.
Sipas Reuters, hetimi nisi pasi dokumentet e publikuara hodhën dritë mbi natyrën e marrëdhënies mes Mandelson dhe Epstein. Autoritetet britanike nuk kanë bërë të ditur detaje të mëtejshme mbi akuzat konkrete.
Mandelson, 72 vjeç, u largua nga posti i ambasadorit në Uashington në shtator, pasi dolën në pah informacione mbi thellësinë e marrëdhënies së tij me Epstein.
Pozicioni i ambasadorit në SHBA konsiderohet si një nga detyrat më të rëndësishme në diplomacinë britanike.
Kush është Peter Mandelson?
Peter Mandelson është një prej figurave më të njohura të Partisë Laburiste britanike që nga vitet 1980. Ai luajti rol kyç në formësimin e lëvizjes “New Labour” dhe në fitoren bindëse të Sir Tony Blair në zgjedhjet parlamentare të vitit 1997.
Në dhjetor 2024, kryeministri Keir Starmer e emëroi ambasador të Mbretërisë së Bashkuar në Uashington. Para këtij emërimi ishte bërë e ditur se Mandelson kishte pasur një miqësi me Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale.
Në shtator të vitit të kaluar, qeveria britanike e shkarkoi nga detyra, pasi Downing Street njoftoi se kishin dalë informacione të reja mbi thellësinë e marrëdhënies së tij me Epstein.
Pas publikimit në SHBA të dokumenteve të lidhura me Epstein, të cilat ngritën pyetje të reja mbi kontaktet e tij me financierin e ndjerë, Mandelson hoqi dorë edhe nga mandati në Dhomën e Lordëve.


