Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sulmoi kryeministrin Edi Rama, duke u mbështetur në akuzat e ngritura ndaj tij nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj.
“Arben Ahmetaj i bëri autopsinë regjimit të krimit nga viti 2015 gjer sot. Arben Ahmetaj, si dëshmitar me dokumenta, si dëshmitar fizik, okular, u tha shqiptarëve se Edi Rama dhe qeveria e tij funksionojnë si organizatë kriminale.
Se Edi Rama detyroi Erion Veliajn të firmosë djegësin e Tiranës dhe së bashku me të kanë vjedhur 130 milionë euro. Ne nuk pajtohemi kurrë me këtë hajdut që historia e Shqipërisë nuk ka njohur kurrë të tillë.
Miqtë e mi, dosja McGonigal është arkivoli i hapur i Edi Ramës. Çdo natë, në dy muajt e fundit, ai në ëndërr i del ishulli Riker. Atje do përfundojë, tek McGonigali. Iu garantoj ju se pas zgjedhjeve do e paketoj, të bëjë dënimin më pas të kthehet”, tha Berisha në protestën e mbajtur para Kryeministrisë.
Pas protestës Berisha u nis për një takim në Itali, por përmendi para mbështetësve të tij mesazhet që mori nga takimi i zhvilluar në Gjermani këtë javë. “Të dashur miq, pak ditë më parë unë isha në Berlin. Mora pjesë në kongresin e partisë më të madhe të qendrës së djathtë në Europë, Bashkimit Kristian Demokrat Gjerman CDU.
Atje shtrëngova duart përzemërsisht me kancelarin e ardhshëm të Gjermanisë. Takova miq të hershëm. Takova miq të rinj. Ata mezi po presin fitoren e PD-së për të ndërtuar një marrëdhënie të shkëlqyer midis dy vendeve. Unë u zotova solemnisht se nga Shqipëria, zero eksport refugjatësh dhe krimi në Europë. Ky është zotimi ynë, zero tolerancë”, tha Berisha.