Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Xhimi Begeja, rezultojnë të kenë qenë pronarët në hije me 60 për qind të aksioneve në kompaninë e ndërtimit “Homeplan”, që ngriti 19 kulla banimi tek fusha e ish-kompleksit “Partizani”. Andia Pustina dhe Laura Pustina dy motrat që merreshenin me administrimin e pasurive të dhëndrrit të Berishës
Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Xhimi Begeja, rezultojnë të kenë qenë pronarët në hije me 60 për qind të aksioneve në kompaninë e ndërtimit “Homeplan”, që ngriti 19 kulla banimi tek fusha e ish-kompleksit “Partizani”.
Dy personat kishin lidhur një marrëveshje verbale me biznesmenin Fatmir Bektashi, dhe përfitimet financiare nga “Homeplan” i merrnin përmes llogaritjes së dividentit. Eurot ose lekët merreshin cash dhe përmes transaksioneve bankare.
Kjo është pranuar dhe nga vetë i hetuari Fatmir Bektashi, gjatë marrjes në pyetje
“.. Unë aktualish jam ortak i vetëm tek shoqëria Kontakt sh.p.k. të cilën e kam krijuar në vitin 1999 me objekt të veprimtarisë ndërtim dhe në vijim kam krijuar edhe shoqërinë Homeplan sh.p.k. fillimisht si ortak i vetëm dhe më pas janë shtuar si ortakë shtetasit Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja. Mua nuk më kujtohet nëse këta dy ortakë, Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja kanë qenë apo jo që në fillim ortake themelues me mua në shoqërinë Homeplan sh.p.k…..Shoqëria Magnet Imo sh.p.k. nuk ka lidhje me mua. Me duket se shoqëria Kontakt sh.p.k. ka një shoqëri të thjeshtë me Magnet Imo sh.pk për investim në ndërtim. Shoqërinë Magnet Imo sh.p.k. e cila ka si ortak shtetasin Jamarbër Malltezi. Në lidhje me dokumentat e shoqërive merret notere Laura Pustina…. Unë jam trashëgimtar i familjes së Dylbere Vaqarrit të cilën e kam gjyshen e mamasë e cila ka pasur në këtë territor 14 000 m2 ku 11 000 m2 kanë qenë brenda klubit sportiv Partizani dhe 3 000 m2 kanë qenë jashtë. Unë jam trashëgimtar i 1/10 pjesë tek sipërfaqa prej 14 000 m2. Që në vitin 1996, kemi bërë kërkesë, mamaja ime, për njohjen e kthimit. Pas kërkesës është bërë njohja dhe pasi vajtëm për ta kthyer na thanë që duhet të blinim godinat që janë mbi toke. Kur filluam të analizonim se cfare duhet te blinim kuptuam se ishte një ndërmarrje që quhet klubi sportiv Partizani. Analizuam të gjithë tokën dhe kuptuam se ishin pesë familje tiranase që mbulonin gjithë territorin. Në disa takime unë kam qenë pjesmarrës, por jo në të gjitha takimet. Unë mbaj mend që si familje janë Vaqarri, Begeja, Alimehmeti, Saliaga dhe Llagami. Në këto takime përfaqësues kanë qenë unë dhe Igli Vaqarri, nga Begeja kanë qenë Xhimi Begeja dhe Jamarbër Malltezi, për familjen Saliaga kanë qenë Luan Saliaga dhe Silvana Bello, tek familja Llagami kanë qenë Adnan dhe Rudina Llagami, tek Alimehmeti nuk më kujtohet se kush kanë qenë. Zakonisht për organizimin e këtyre takimeve mblidheshim tek zyrat e shoqërisë Kontakt sh.p.k. Unë u bëra sebep që t’i mblidhja të gjithë rreth shoqërisë Kontakt por edhe në vende të tjera….Unë di që nga prindërit e mi me është thënë që kanë bërë kërkesa, nuk kam gjë të dokumentuar por toka është në administrim të Albert Xhanit dhe i përzinin nga zyra. Ne vitin 2006-2007 jemi mbledhur siç thashë më lart të gjithë përfaqësuesit e familjeve ish pronare dhe kemi përgatitur kërkesat për kthimin e tokës. I përgatitëm kërkesat në këtë kohë për kthimin e tokës sepse atëherë u bëmë të vetëdijshëm që duhet ta kërkonim tokën dhe nuk duhet ta falnim. Gjithashtu ne kërkuam në bazë të ligjit që të privatizonim objektet që ndodheshin mbi tokën që na ishte njohur por nuk na ishte kthyer deri në atë kohë. Kërkesën për privatizim tek Drejtoria e Privatizimit e kanë bërë përfaqësuesit e familjeve ku për familjen Vagarri e ka bërë shtetasi Igli Vaqarri’ thuhet në dosje.
Në dëshminë që ai ka dhënë në SPAK, tregohet se roli i tij në përpilimin e dokumenteve të kompanisë ka qenë thuajse në hije, pasi sipas tij të gjitha dokumentet i bënte Andia Pustina, e besuara e Jamarbër Malltezit.
“…të gjitha aktet që lidhen me aktivitetin e shoqërisë “Homeplan” si nga ana financiare dhe juridike i kanë përgatitur shtetaset Andia Pustina dhe Laura Pustina dhe unë vetëm i nënshkruaja. Dua të sqaroj se shoqëria “Homeplan” nuk ka pasur asnjëherë arkë dhe çdo gjë, çdo veprim financiar është kryer nëpërmjet llogarive bankare. Edhe tërheqja e dividentit kryhet në të njëjtën mënyrë. Edhe në lidhje me vendimmarrjet e shoqërisë “Homeplan” unë nuk kam ndonjë rol, pra që të shpreh mendim për vendimet e shoqërisë.
Unë nuk kam marrë pjesë pra në procesin e vendimmarrjes por vetëm i nënshkruaja ato që përpilonte Andia Pustina. Për nënshkrimin e çdo akti që lidhet me shoqërinë “Homeplan” unë shkoj tek zyra e Andia Pustinës, që ndodhet përballë librit Universitar dhe i nënshkruaj aty. Mua më telefononte Andia për të vajtur dhe për të nënshkruar…” – ka deklaruar Fatmir Bektashi.
“…konceptualisht Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja kanë qenë gjithmonë pjesë e shoqërisë “Homeplan”, pavarësisht kur janë pasqyruar gjërat në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Ne kemi pasur marrëveshje verbale me Jamarbër Malltezin dhe Begenë, ku unë kam pasur vetëm 40 për qind të kësaj shoqërie. Këtyre dy personave, Jamarbërit dhe Xhimit po me marrëveshje verbale i kam thënë që të caktonin ata vetë përfaqësuesin e tyre për financat e shoqërisë “Homeplan”. Dhe ata kanë pasur si ekonomiste, pra përfaqësuesin e tyre për të mbajtur bilancet e “Homeplan” Andia Pustina. Kurse unë për veten time, kam pasur një financiare të punësuar. Ligjërisht çdo dokument financiar e çoja unë tek Andia. Raportet i mbaja unë me Andian dhe e çoja muaj për muaj. Andia i fuste gjithçka në bilancet e “Homeplan”.
Në lidhje me nënshkrimin si ortak i vetëm në shoqërinë “Homeplan”, Fatmir Bektashi ka pohuar se:
“…me çdo letër të shoqërisë “Homeplan” është marrë Andia Pustina e cila është motra e noteres Laura Pustina dhe unë deklarim të hollësishëm mund të jap vetëm pasi të konsultohem me Andian dhe dokumentacionin e mbajtur prej saj.
Unë di të them që “Homeplan” është krijuar që në fillim bashkë me dakordësinë e Jamarbër Malltezit dhe Xhimi Begesë, ku ata do të quheshin investitorë pavarësisht se prej tyre nuk u dha asnjë lekë, por kishin marrë përsipër të bindnin pronarët e tokës për të lidhur marrëveshje për realizim ndërtimi.
Çdo dokument është përgatitur tek notere Laura Pustina, në lidhje me shoqërinë “Homeplan”. Tek kjo notere është përgatitur dhe marrëveshja e investimit që kam lidhur me Jamarbër Malltezin dhe Xhimi Begeja. Unë aktualisht nuk mbaj asnjë dokument të shoqërisë “Hameplan”, pasi i mban Andia Pustina…”