Albania
Dosja “tepër sekret” për Nënë Terezën: Kuptonte shumë mirë shqip!
Publikohen disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret” të nxjerra së fundmi nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Arkivi Qendror i Shtetit, të cilat i përkasin një periudhe kohe nga (1969-1991), ku ndodhet një korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, flet-palosje, fotografi, etj., ku bëhet fjalë për Nënë Terezën e Kalkutës, Shenjtoren e famshme me origjinë shqiptare, Gonxhe Bojaxhi, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare, si: “Padmashir”, dhe “Nehru”, nga qeveria indiane në vitin 1963 dhe 1972, “Magnasia” nga qeveria filipinase e cila e shpalli gjithashtu si “Gruaja e merituar e Azisë”, disa çmime paqeje nga SHBA, “Ambrogino i artë” nga Milano, “Nëna universale” në 1974 nga qendra e orientimit të emigrantëve, dhe çmimi ‘Nobel’ për Paqen, në 1979-ën. Kalvari i Nënë Terezës që nga viti 1969, e cila nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze dhe italiane, i kërkoi Tiranës zyrtare, që të vinte në Shqipëri, në atdheun e saj, për të vizituar nënën, Roza Bojaxhi, që në atë kohë ishte në moshën 86 vjeçare dhe e sëmurë, si dhe motrën e saj, Age, të cilat banonin në Tiranë. I gjithë dokumentacioni i plotë, (tashmë i deklasifikuar), i nxjerrë nga arkivat e shtetit shqiptar, bëhet publike për herë të parë nga Memorie.al, ku hidhet dritë mbi të gjithë aktivitetin bamirës së Shenjtores së famshme, në ndihmë të të varfërve në të gjithë botën dhe dëshirën e saj të jashtëzakonshme për të ndihmuar bashkatdhetarët e saj në Shqipërinë komuniste, si dhe heshtjen totale të Tiranës zyrtare dhe udhëheqjes së lartë komuniste të asaj kohe, me në krye Ramiz Alinë e Nexhmije Hoxhën, të cilët me pretekse të ndryshme, penguan ardhjen e saj në Shqipëri dhe e lejuan vetëm në vitin 1989, në sajë të presionit të madh ndërkombëtar!
Edhe pse në të gjithë botën ajo njihej si Nënë Tereza e Kalkutës, Bamirësja dhe Shenjtorja e famshme Gonxhe Bojaxhi, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare dhe e çmimit ‘Nobel’ për Paqen në vitin 1979, nuk e fshehu kurrë origjinën e saj shqiptare, madje duke kërkuar që nga viti 1969, nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze, italiane etj.,(ku u angazhuan krerët më të lartë të diplomacisë së këtyre dy shteteve), që të vizitonte nënën dhe motrën e saj që jetonin në Tiranë.
Por edhe pse lidhur me kërkesën e vazhdueshme për të vizituar atdheun e saj, asokohe dhe më pas u angazhuan disa prej diplomatëve kryesore të këtyre dy shteteve Perëndimore me të cilat Tirana zyrtare kishte marrëdhënie diplomatike, regjimi komunist i Enver Hoxhës, nuk e lejoi atë kurrsesi të vinte dhe të shikonte nënën e saj që ishte në momentet e fundit të jetës dhe Age Bojaxhi, u nda nga jeta me pengun e madh që s’mundi ta shihte edhe njëherë të bijën e saj, Gonxhen, të cilën s’e kishte pare, që kur ajo ishte fëmijë, kohë kur ajo ishte larguar nga shtëpia për t’u bërë murgeshë.
Por edhe pas kësaj, Nënë Tereza e Kalkutës, siç njihej ajo në të gjithë botën për shkak të misioneve të saj të bamirësisë në ndihmë të të varfërve dhe të vobektëve kudo që ata ndodheshin, në të gjitha skajet e globit, jo vetëm që nuk u zemërua me ata që nuk e lejuan të shihte nënën e saj, para se të ndërronte jetë, por përkundrazi, u lut për ta dhe vijoj të kërkonte pa u lodhur, për vite me radhë, që ajo të vinte një ditë në vendlindjen e të parëve të saj, qoftë dhe për të vënë një tufë me lule mbi varrin e nënës dhe motrës së saj, që tashmë ishin larguar nga jeta.Reklamë
Por kërkesat e saj, për dy dekada (nga viti 1969, deri në 1989-ën), hidheshin poshtë me pretekste nga më absurdet nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më pas, pasuesit të tij, Ramiz Alisë e Nexhmije Hoxhës, të cilët shikonin pas saj dhe njerëzve që e shoqëronin: një “agjente të Vatikanit”, etj.!
Lidhur me këto si dhe të gjithë kalvarin e saj prej më shumë se dy dekadash për të ardhur në Shqipëri, ku mendonte që të hapte Shtëpitë e Bamirësisë, siç kishte bërë në vende të ndryshme të botës, si dhe arsyen e vërtetë sepse Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha, vendosën që ta pranonin atë në vitin 1989, kur dhe erdhi për herë të parë në atdheun e saj, bëhet fjalë në shumë dokumente arkivore, ku ndodhet një korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, revista, flet-palosje, fotografi, etj., etj., të cilat publikohen për herë të parë nga Memorie.al., në rubrikën historike dossier, duke filluar nga ky numër.
Pjesa e pestë – Vijon nga numri i kaluar
Raport-informacion i Kryetarit të Kryqit të Kuq Shqiptar, Ciril Pistoli, lidhur me bisedat e zhvilluara me Nënë Terezën, gjatë shoqërimit të saj nëpër Shqipëri
I n f o r m a c i o n
Shokut Jorgo Melica
Gjatë bisedave me Nënë Terezën, në sallën e pritjes në aeroport dhe gjatë udhëtimit me makinë u fol për gjërat e mëposhtme:
Mbasi e pyeta, tha se nuk din shqip, pasi nuk ka pasur mundësi ta praktikojë me ndonjë tjetër, sepse në Kalkuta nuk ka shqiptar, por din serbishten sepse e ka folur me disa murgj jugosllavë që ndodhen atje.
Mesa munda të marr vesh, ajo e kuptonte shqipen, recitoi disa vargje të një lutjeje fetare dhe kur u largua nga Tirana, në Shtëpinë e Pritjes, foli disa fraza të shkëputura shqip dhe Motra Marije, shoqëruesja e saj, tha se po të rrijë një kohë më të gjatë, ajo do të fliste shqip, do t’i kujtoheshin fjalët.
Të enjten më erdhi në shtëpi, Dodona Vila, e bija e Sabri Qytezës – aktivista i kohës së Rilindjes, e cila ka pasur shoqëri me nënën dhe motrën e Nënë Terezës. Ajo më tha se Nënë Tereza e din shqipen, sepse ajo ka lexuar në vitin 1952, letra që kjo i dërgonte Ages dhe ishin shqip. Dodona më tha se Kolë Bojaxhiun, e kanë helmuar serbët.
Një pyetje për gjendjen e shëndetësisë së popullit. U bisedua për SIDA-n. Më tha se nëse vendi ynë do marri pjesë në konferencën ndërkombëtare shumë të gjerë që do të zhvillohet në Romë. Kur u largua më tha se do t’i thotë kryetarit të konferencës, të na dërgojë ftesë. Unë e njoftova se në Shqipëri nuk ka SIDA, se kemi nxjerrë kuadro për specializim jashtë dhe për diagnostikimin e sëmundjes.
Në pyetjen, a keni qenë në Jugosllavi dhe Kosovë, ajo u përgjigj, se në Jugosllavi ka qenë disa herë, por jo në Kosovë. Me preokupacion më tha se tani gjendja në Kosovë është e rëndë dhe e ndërlikuar.
Pyeti nëse vendi jonë ka institucione bamirësie. Unë i fola për Shtëpitë e Pleqve, që mbahen nga shteti. Më tha se institucione të tilla ajo ka ngritur në Bashkimin Sovjetik, në Kinë, në Kubë, etj. Mendoi të ngrejë një të tillë në Shqipëri dhe dëshironte të sjellë këtu për këtë qëllim, katër motra. Këtë mundësi e ka theksuar disa herë.
Kur e përcollëm, më la përshtypjen se ka mbetur e kënaqur nga vizita, gjatë udhëtimit me makinë duke parë njerëz rrugës, tha se janë të kënaqur dhe të qeshur. Kur shikonte arat e mbjella, të punuara, të gjelbërta, pyeti kështu janë edhe krahinat e tjera të Shqipërisë?
Tha se do qëndroj një ditë në Romë dhe më pas do të shkonte në Kalkuta dhe pas disa ditësh do të shkonte në Kinë.
Ciril Pistoli
Tiranë, 18. 8. 1989
Informacion mbi shtëpinë e familjes Bojaxhiu dhe varret e tyre në varrezat e Tiranës
Të dhëna për shtëpinë dhe varret Bojaxhinjëve
Shtëpia e Bojaxhinjëve është në Rrugën “Hajdari…” (në krah të Ministrisë së Tregtisë së Brendshme), Nr. 41.
Në këtë shtëpi Roza (Drandia) dhe Agia kanë banuar para çlirimit deri nga viti 1944 – 1945.
Shtëpia nuk ka qenë pronë e tyre, kanë banuar me qera.
Shtëpia është blerë me kohë nga Hamdi Zajmi, i cili banon edhe sot. Familje e mirë Kosovare.
Shtëpia origjinale është restauruar nga Matish Ruka, siç ka qenë, rrugica, porta e shtëpisë dhe oborri, me ndonjë ndryshim të vogël.
Shtëpia ka ambiente të mira dhe mund të vizitohet.
Varret
Roza Bojaxhiu
1889 – 1972
Varret në parcela 33
Rradha 2
Varri 5
Varri pa fotografi, pjesa e fundit është thyer, ka nevojë të rregullohet dhe të pastrohet mermeri nga myshqet e ndryshku.
Duhet të rregullohet dhe pastrohet parcela ku ndodhet.
Age Bojaxhiu
1913-1972
Parcela 11
Rradha 2
Varri 24
Varri është prej mermeri me fotografi. I mbajtur shumë mirë. Duhet të lahet mermeri dhe të pastrohet parcela.
Letra e Nënë Terezës për Jorgo Melicën, Kryetarin e Komitetit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit me Botën e Jashtme
I nderuar Z. Melica
Ju u kujdesët shumë mirë për gjithçka gjatë vizitës sime të parë në Shqipëri. Po ju shkruaj në mënyrë që të vazhdojmë të punojmë së bashku.
Duke qenë se ende nuk jam në gjendje të udhëtoj, i kërkova Zhan-it të vinte për t’u takuar me Ju. Mora një letër nga Presidenti dhe shpresoj se ju së bashku do t’i shqyrtoni detajet.
Kam besim të plotë tek ju për sa i përket kësaj çështjes. Interesi i saj i vetëm është që të punojë nën drejtimin tim dhe të flasë në bazë të dëshirave të saja. Të jeni të sigurtë se Zhani do të respektojë çdo konfindicialitet.
Dëshira ime ishte më e madhe, që të mund të vijmë së bashku me motrat këtë vit në Shqipëri. Shteti tregon një kujdes të mrekullueshëm për nevojat e gjithë popullit shqiptar, por është e pamundur ta ketë “gjithë dashurinë e ëmbël dhe kujdesin”.
Këtë do ta sjellim ne. Unë jam shqiptare dhe në këtë frymë, unë do ofroj dashurinë e ëmbël”.
Ju faleminderit për telegramin si dhe për lutjen dhe urimet që më dërgonit për shërimin tim nga sëmundja që kalova.
Jam shumë e prekur nga mirësjellja juaj dhe i lutem Zotit t’ju japë bekimet e Tij, për Juve dhe familjen tuaj.
Ruani gëzimin e dashurisë për Zotin me njëri tjetrin dhe ndaheni këtë gëzim me të tjertë.
Zoti ju bekoftë
Nënë Tereza
Fjala e mbajtur nga Jorgo Melica para shfaqjes së filmit dokumentar kushtuar Nënë Terezës, realizuar nga Ana dhe Zhanete Petrie
Të dashur shokë dhe shoqe, mysafirë të nderuar.
Kjo ngjarje e shënuar na mblodhi sot së bashku: Kemi prej disa ditësh në Shqipëri, njeriun e thjeshtë por me punë të madhe në botë, Nënë Terezën dhe sot kemi edhe këtu në këtë shfaqje, filmin kushtuar jetës dhe kontributit të saj, në dobi të njerëzve të varfër, të mjeruar, të sëmurë dhe të pastrehë.
Nënë Tereza, kjo bamirëse e njohur shqiptare, mbajtëse e çmimit Nobel të Paqes, erdhi në Shqipëri me dëshirën dhe mallin për të parë vendin e vet të rilindur si dhe për të bërë homazhe në varret e familjes së saj në Tiranë.
Ajo është e njohur në vendin tonë dhe kudo në botë për meritat e mëdha të humanizmit, dashurisë për njeriun, sakrificat e saj deri në vetmohimin, për të ndihmuar dhe lehtësuar nga vuajtjet, sëmundjet, plagët e luftës, katastrofat e natyrës dhe nga njerëzit e thjeshtë.
Motoja e kësaj humanisteje të madhe ka qenë dhe mbetet: “Nuk ka rëndësi se sa bën dhe sa jep për të vobektit, rëndësi ka sa ndjenjë sinqeriteti dhe dashurinë e njeriut fut në veprimin tënd”.
Me një ndjenjë të tillë të fuqishme dashurie për njerëzit, Gonxhe Bojaxhiu, njohur më vonë me emrin Nënë Tereza, do të merrte udhëtimet e saj nga Qendrat e Bamirësisë në Kalkutën e mjerimit, për në qendrat e tjera të operimit e varfërisë në botë. Udhëtoi nëpër vendet e Amerikës Latine në Afrikë edhe në Europë e SHBA, duke falur sadopak padrejtësitë e mëdha të shoqërisë.
Ajo u përpoq kudo që shkoj, me veprimet e saj, me fjalën e thjeshtë dhe të mençur, të ndihmonte që njerëzit të ndjejnë dashuri e ofronin për miliona njerëz të varfër në botë dhe mungesën e kësaj ndjenje, ajo e konsideron si varfërinë më të madhe.
Për personalitetin e saj, kontributin e saj, më shumë do të mësojmë nga filmi që do të shfaqet tani.
Përfitoj nga rasti, që edhe në emrin tuaj, të uroj Nënë Terezën, që ditët e qëndrimit në Shqipëri të jenë sa më të dobishme dhe të gëzueshme, duke u ç’mallur me njerëzit dhe tokën e mëmëdheut dhe duke i uruar gjithnjë shëndet, jetë të gjatë dhe suksese në misionin e saj fisnik.
Ky film “Nënë Tereza” që është prodhuar nga regjizorja Ana Petrie dhe Zhanet Petri, e cila shoqëron në vendin tonë Nënë Terezën dhe është e pranishme edhe në këtë shfaqje, është shfaqur në shumë vende të botës dhe është nderuar me çmime të ndryshme.
Relacioni i misionit shqiptar në OKB për letrën e Nënë Terezës dërguar ministrit të Punëve të Jashtme, Reiz Malile
Misioni i Përhershëm
I Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë
Pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara
320 EAST 79th STREET
NEW YORK N.Y.10021 New York, me 8 tetor 1989
Prot.Nr.375
Lënda: Dërgohet letra e Nënë Terezës drejtuar sh. R. Malile
MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME
Tiranë
Bashkëlidhur ju dërgojmë letrën që Nënë Tereza i drejton ministrit të Punëve të Jashtme të RPS të Shqipërisë, Reis Malile. Letra është dorëzuar në misionin tonë nga Zhanete Petrie, shoqëruese e nënë Terezës gjatë udhëtimit të saj në Shqipëri./Memorie.al/
Albania
Të punësuarve me pagë bruto mbi 176 mijë lekë iu “ulet paga”, deri me 950 lekë, nga 1 janari
Rritja e pagës minimale nga 40 mijë në 50 mijë lekë, e cila hyri në fuqi më 1 janar 2026, shoqërohet gjithashtu me një efekt të drejtpërdrejtë negativ për të gjithë të punësuarit me paga bruto mbi 176 mijë lekë në muaj.
Ndryshe nga perceptimi i përgjithshëm se rritja e pagës minimale prek vetëm shtresat me të ardhura të ulëta, ndryshimi paralel i pagës maksimale për efekt kontributesh nga 176,416 lekë në 186,416 lekë do të përkthehet në një “ulje të pagës neto” për të gjithë ata që paguhen mbi këtë prag.
Konkretisht, nga janari 2026, çdo i punësuar me pagë bruto të paktën 186,416 lekë do të paguajë më shumë kontribute të sigurimeve shoqërore, pa përfituar asnjë rritje reale në pagën bruto.
Aktualisht, për kufirin maksimal prej 176,416 lekësh, punonjësi paguan 9.5% sigurime shoqërore, ose rreth 16,760 lekë të mbajtura nga paga mujore. Me rritjen e tavanit të kontributeve, kjo shumë do të rritet në rreth 17,709 lekë në muaj, duke sjellë një kosto shtesë prej afro 950 lekësh çdo muaj për secilin të punësuar në këtë nivel dhe mbi të.
Në terma praktikë, kjo do të thotë se, edhe pse paga bruto mbetet e pandryshuar, paga neto do të ulet që nga janari, për shkak të kontributeve më të larta. Efekti është i njëjtë si për punonjësit ashtu edhe për punëdhënësit, të cilët do të paguajnë gjithashtu më shumë për pjesën e tyre të kontributeve, duke rritur koston totale të punës.
Sipas relacionit të projektbuxhetit dhe të dhënave të administratës tatimore, kjo politikë do të sjellë rreth 9 miliardë lekë të ardhura shtesë për arkën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ku 7.6 miliardë lekë pritet të vijnë nga sigurimet shoqërore dhe 1.4 miliardë lekë nga sigurimet shëndetësore.
Për vitin 2026, të ardhurat totale nga kontributet janë programuar të arrijnë në 197 miliardë lekë, ose 11.4% më shumë se pritshmëritë për vitin 2025.
Megjithatë, për mijëra të punësuar me paga mbi 176 mijë lekë, ky ndryshim nuk përkthehet në përmirësim të të ardhurave, por në një ulje të drejtpërdrejtë të pagës neto.
Në këtë këndvështrim, rritja e pagës minimale shndërrohet në një barrë shtesë fiskale për një segment të konsiderueshëm të forcës së punës, duke rritur koston e punës për bizneset dhe duke reduktuar të ardhurat mujore reale të punonjësve me paga mesatare dhe të larta, që nga muaji janar 2026.
Ekofin.al
Albania
Emigrantët duan të ndihmojnë vendin, por institucionet nuk i përfillin
Teksa emigracioni po masivizohet vit pas viti dhe shumica e shqiptarëve, pjesa më produktive jetojnë jashtë vendit me 2.2 milionë banorë sipas të dhënave të fundit nga Anketa e Emigracionit, në anën tjetër qeveria dhe institucionet kanë dështuar për të zbatuar programin dhe strategjitë për emigrantët.
Një pjesë e emigrantëve që jetojnë prej dy dekadash jashtë vendit duan të kontribuojnë sidomos në zonat kur kanë lindur, por ato përballen me pengesa dhe mospërfillje institucionale.
Anëtarët e diasporës shqiptare të intervistuar nga INSTAT janë të angazhuar në mënyrë aktive në një gamë të gjerë iniciativash që kontribuojnë në zhvillimin kulturor, akademik, ekonomik dhe institucional të vendit në vendet ku jetojnë. Rreth një në pesë anëtarë të diasporës është aktiv në organizata dhe shoqata të diasporës, kryesisht në funksion të promovimit të identitetit shqiptar jashtë vendit, përmes shkollave të gjuhës, aktiviteteve kulturore dhe ngjarjeve komunitare.
Megjithatë sipas anketës angazhimi i diasporës në vendin tonë kufizohet nga një sërë sfidash. Diskutimet me anëtarë dhe organizata të ndryshme të diasporës gjatë anketës së INSTAT nxjerrin në pah pengesa institucionale, duke përfshirë aktivitetin e kufizuar të institucioneve kyçe si Agjencia Kombëtare e Diasporës dhe Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, si edhe vështirësi në koordinimin ndërministror.
Emigrantët vënë në dukje mungesën e një data-baze të centralizuar të diasporës, teksa ka fushata të kufizuara informimi dhe komunikimi për angazhimin e diasporës.
Sipas anketës mungojnë mekanizmat e strukturuar që profesionistët e diasporës të kontribuojnë në zhvillimin e Shqipërisë, duke mbetur shpesh vetëm në iniciativa.
“Ka mungesë besimi ndaj institucioneve shqiptare dhe shqetësime për burokracinë e tepruar, veçanërisht mes profesionistëve. Ka shqetësime për klimën e biznesit, boshllëqe në kuadrin ligjor për mbështetjen e investitorëve nga diaspora dhe mungesën e fondeve të dedikuara për kanalizimin e investimeve. Ka nisur shkëputja kulturore në rritje te brezat e dytë dhe të tretë të diasporës që asimilohen jashtë vendit, duke sjellë dobësimin e lidhjeve me trashëgiminë shqiptare” vë në dukje anketa.
Në aspektin ekonomik, anëtarët e diasporës po shohin gjithnjë e më shumë përtej remitancave tradicionale, drejt formave më strategjike të investimit, përfshirë pasuritë e paluajtshme, turizmin dhe sipërmarrjet teknologjike. MIrëpo qeveria shqiptare nuk po mundet të përthithë kapitalin human dhe atë financiar të diasporës, duke ulur përfitimet e vendit nga ky potencial i madh.
Monitor
Albania
Emigrimi i shqiptarëve drejt SHBA-së, ICE: Mos t’ju shkojë mendja të hyni ilegalisht
Ëndrra e shumë shqiptarëve për t’u futur e jetuar në ShBA po vështirësohet gjithnjë e më shumë. Edhe ata të cilët kanë mundur ta prekin Amerikën e janë atje pa leje qëndrimi, po përballen me dëbime.
Pothuajse çdo javë ka shqiptarë të cilët deportohen pasi janë kapur nga ICE, skuadra amerikane e emigracionit dhe doganave e hedhur në veprim pasi Donaland Trump i shpalli luftë ilegalëve në ShBA.
“Top Channel”, përmes postës elektronike, pyeti ICE-në sa është numri shqiptarëve pa të drejtë qëndrimi në ShBA të ndaluar, përfshi numrin e të dëbuarve drejt Shqipërisë gjatë 2025.
Një zëdhënës i ICE nuk dha detaje përmes shifrave, por deklaroi se: “Nëse ju po e konsideroni të hyni ilegalisht në Amerikë, mos e çoni në mendje një gjë të tillë. Nëse vini këtu në kundërshtim me ligjet tona, ju me gjasë do të përballeni me ligjin dhe ne do t’ju dëbojmë. Ju kurrë nuk do të mundeni të riktheheni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përsëri”.
Top Channel nga burime diplomatike ka mësuar se Ambasada e ShBA-së në Tiranë ka ndihmuar në ngritjen e njësie të posaçme brenda Policisë së Shtetit dedikuar luftës me trafikun e shqiptarëve drejt ShBA.
Të njëjtat burime treguan se kjo njësi sipas një protokolli standard, interviston të gjithë shqiptarët e dëbuar nga ShBA për të mësuar si ata mundën të hynë ilegalisht. Kjo konsiderohet si mbledhje inteligjence me qëllim identifikimin e rrugëve dhe metodave të trafikut. Trafiku i shqiptarëve drejt ShBA vijon përmes linjës klasike të të shkuarit në Meksikë duke pritur disa javë deri në momentin kur trafikantët krijojnë kushtet për kalim.
Një tjetër metodë është përdorimi pasaportave evropiane të falsifikuara. Nëse për shumë vite rruga e Kavajës mbretëronte në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, shkëlqimi i asaj kohë është shuar.
Kjo njësi brenda Policisë së Shtetit, nga intervistimet e të dëbuarve nga ShBA, ka mundur të identifikojë Kosovën si vend prodhues të pasaportave të falsifikuara, madje me një cilësi të lartë si pasojë e përdorimit të kompjuterëve dhe printerëve super-modernë.
Megjithatë, nuk mungojnë tentativat brenda Shqipërisë në prodhimin e të tilla pasaportave siç ishte rasti më i fundit në Tiranë kur para 5 muajsh, babë e bir u prangosën për këtë aktivitet kriminal. Sipas hetimeve, pasaportat e falsifikuara shiteshin nga 15 000 deri në 20 000 euro dhe përdoreshin për të kaluar ilegalisht drejt vendeve të BE-së edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /TCH
-
Albania2 days ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK5 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania5 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania6 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK2 days agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK6 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports5 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
