Kryeministri i Italisë, Mario Draghi deklaroi sot se Italia është pranë Shqipërisë në çdo centimetër të politikës së saj të jashtme sa i përket hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në konferencën e përbashkët përbashkët për shtyp në Palazzo Chigi në Romë me kryeministrin Edi Rama gjatë vizitës së tij zyrtare, kryeministri italian Draghi tha se “Italia do t’i japë një mbështetje të plotë Shqipërisë. Procesi i hyrjes së Shqipërisë në BE nuk do të ndodhte vetëm, por duke konsideruar edhe hyrjen e vendeve të tjera të Ballkanit”.
“Edhe bashkëpunimi sa i përket gjyqësorit po ecën shumë mirë. Ka nisma të ndryshme mbi të cilat dy vendet do të punojnë dhe sot pasdite kryeministri Rama do të nënshkruajë në Ministrinë e Jashtme pjesëmarrjen në Komitetin Ekonomik të përbashkët mes Italisë dhe Shqipërisë”, nënvizoi Draghi.
Duke falënderuar kryeministrin Rama për sinjalin e jashtëzakonshëm të solidaritetit dhe afërsisë që ai dhe Shqipëria i ka dhënë Italisë gjatë periudhës më të errët atë të pandemisë, Draghi tha se “marrëdhënia mes Italisë dhe Shqipërisë nuk ka nevojë për shumë fjalë, është shumë e lashtë dhe e fortë, një marrëdhënie e suksesshme që nuk ka nevojë shumë për fjalë, por vetëm për përforcime”.
Sipas tij, bashkësia italiane dhe ajo shqiptare në Itali është shumë e gjerë dhe shumë mirë e integruar.
“Studentët shqiptarë janë shumë dhe frekuentojnë me përfitim shumë të madh universitetet tona”, theksoi Draghi.
Duke e vënë theksin tek zhvillimi ekonomik, Kryeministri italian u shpreh se “sipërmarrjet italiane në Shqipëri janë vërtet shumë, janë me mijëra si ato me pronësi vetëm italiane edhe ato me pronësi të përbashkët”.
“Bashkëpunimi me Shqipërinë ushtrohet edhe në rrafshin e bujqësisë, turizmit dhe tashmë edhe në atë të tranzicioneve ekologjikë”, shtoi Draghi.