Urdhri i Punonjësve Socialë në një angazhim të përbashkët për drejtësi sociale dhe mirëqenie për të gjithë të miturit, nënshkroi sot një marrëveshje me Qendrën e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve për të fuqizuar kapacitetet për realizimin dhe garantimin e një drejtësie sociale për të gjithë të miturit.
Ky është një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të përmirësuar dhe forcuar rolin e punonjësit socialë në sistemin e drejtësisë si dhe në koordinimin e veprimtarive në fushën e parandalimit të krimeve të të miturve dhe të rinjve në Shqipëri.
Të dyja palët angazhohen në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve të ndryshme me qëllim rritjen e kapaciteteve të punonjësve socialë të cilët punojnë direkt ose indirekt me të mitur dhe të rinj në konflikt me ligjin, si dhe zhvillimin e një modeli pozitiv ndërhyrjeje në lidhje me ofrimin e shërbimit për këtë kategori, duke mbështetur vazhdimisht të miturit dhe të rinjtë pas përfundimit të dënimit për t’u rikthyer si qytetar që kontribuojnë për një shoqëri më të mirë. Duke përqendruar burime dhe njerëz të specializuar në këto drejtime, kjo marrëveshje synon të sjellë përmirësim në parandalimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e të miturve në konflikt me ligjin.
Marrëveshja u nënshkrua sot në datë 20 Shtator 2023 në një ceremoni zyrtare në Tiranë, ku përfaqësuesit e të dy institucioneve, Z.Mirgit Vataj Kryetar i Urdhrit të Punonjësve Socialë (UPSSH) dhe Znj. Klaudia Hasanllari Drejtoreshë e Qendrës së Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve (QPKMR) dhe, janë pajtuar mbi synimin dhe objektivat e këtij bashkëpunimi duke u shprehur njëzëri për ndikimin pozitiv që do të sjellë në kujdesin dhe mbështetjen e të miturve dhe të rinjve në konflikt me ligjin.