E ardhmja e Armando Brojës mund të marrë një drejtim interesant këtë verë, ndërsa Çelsi dhe Ajaksi po shqyrtojnë një marrëveshje që mund të sjellë përfitime për të dyja klubet dhe një hap të rëndësishëm në karrierën e sulmuesit shqiptar. Mediat britanike raportojnë se londinezët janë të interesuar për Jorel Hato, një nga mbrojtësit më premtues të akademisë së Ajaksit dhe një lojtar që ka zgjuar gjithashtu interesin e klubeve të mëdha, si Arsenali dhe Liverpuli.
Çmimi i vendosur nga holandezët për 19-vjeçarin është rreth 40 milionë paund, por Çelsi mund të përdorë një emër të njohur në marrëveshje: Brojën. 23-vjeçari kuqezi ka pasur dy sezone të vështira, të shënuara nga dëmtimet dhe mungesa e vazhdimësisë gjatë huazimeve te Fullhemi dhe Evertoni. Vetë klubi blu thuhet se është i hapur për ta larguar përfundimisht Brojën, në kërkim të një ambienti ku mund të rifillojë karrierën me ritëm të rregullt.
Ka pasur disa klube të cilat janë përfolur në lidhje me sulmuesin, si Milani, Lajpcigu apo PSV, ndërkohë së fundmi në skenë ka hyrë edhe Ajaksi. Një shkëmbim i mundshëm mes Brojës dhe Hatos mund të jetë formulë fitimprurëse për të gjithë: Çelsi do të siguronte një mbrojtës të talentuar pa shpenzuar shifrën e plotë të kërkuar nga holandezët, ndërsa Ajaksi do të afronte një sulmues me potencial të lartë, që kërkon rikthimin në formën e tij më të mirë.
Arbër Hoxha- Prej kohësh është përfolur se Sergej Jakiroviç, ish-trajneri i Dinamo Zagrebit, dëshiron të rikthejë në skuadrat e tij Arbër Hoxhën, fillimisht gjatë aventurës së tij në Kaiserispor dhe më pas tani te Hull Siti në Angli. Por këto zëra nuk kanë asnjë bazë reale dhe asnjë nga këto transferime nuk është në tryezë. Burime pranë klubit, siç raporton “24.sata”, thuhet se Hoxha ka nisur përgatitjet me Dinamon dhe është në listën e lojtarëve që do t’i bashkohen skuadrës në fazën e dytë të stërvitjeve.
Megjithatë, 26-vjeçari shqiptar është në një pikë ku dëshiron të luajë rregullisht dhe të jetë pjesë e formacionit titullar, gjë që nuk i është garantuar te Dinamo në sezonin e fundit. Interes për të ekziston, dhe largimi nga Maksimir duket një skenar i mundshëm nëse paraqitet një ofertë që i përshtatet si lojtarit, ashtu edhe klubit.
Megjithatë, është e qartë se Hoxha nuk është në planet e Jakiroviç as te Hulli, dhe as më parë në Turqi. Në aspektin e skuadrës kombëtare, Hoxha ka përparuar goxha. Nga një lojtar stoli, ai ka bindur Silvinjon që t’i besojë nga minuta e parë në tri ndeshjet e fundit radhazi. Me Andorrën, anësori la gjurmë me një asist, ndërkohë ishte pikërisht ai që krosoi topin nga e majta në autogolin që letonezët bënë.