Radio Televizioni Shqiptar do të ketë një kanal të dedikuar për të gjithë diasporën shqiptare, kudo që ajo ndodhet në botë. Lajmi është bërë i ditur nga Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Alfred Peza, gjatë fjalës së tij në Samitin e Diasporës.
Sipas tij, ky është jo vetëm një detyrim kushtetues, por edhe moral e ligjor, ndaj dhe RTSH do t’u përgjigjet denjësisht sfidave që lidhen me pasqyrimin e shembullit me të cilin po shkëlqejnë sot shqiptarët në botë, të rinjë dhe të reja, burra dhe gra.
“Jemi një popull i vogël, por kemi dy aftësi të veçanata: jemi në çdo cep të rruzullit; nga ana tjetër kemi filluar të kompensojmë çdo ditë e më shumë, me cilësinë e forcën e shembullit pozitiv të djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, që po shkëlqejnë në çdo sektor të jetës ku ata punojnë dhe jetojnë”, tha Peza.
Sipas tij, shqiptarët nga një popull që më së shumti në mediat ndërkombëtare përmendeshin në kronikën e zezë, gjithnjë e më shumë tani po zenë ballinat e mediave më prestigjioze ndërkombëtare, për rezultat e tyre shumë të mira.
“Ne jemi kthyer tek forca e shembullit ku shqitarët po shkëlqejnë në art, muzikë, sport, shkencë, turizëm, teknologji, deri te intiligjenca artificiale. Këtë duhet t’ua tregojmë të gjithëve, sepse është një mision, pasi është jo vetëm detyrim kushtetues, por edhe moral e ligjor. RTSH-3 do të kthehet në dritaren kryesore të komunikimit për të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen në botë”, theksoi Peza.
Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së ka shpjeguar edhe konceptin e RTSH-3 për diasporën, e cila, sipas tij, “do të kthehet në dritaren e komunikimit çdo ditë, çdo javë e muaj, në 365 ditët e vitit”.
“Në programet e RTSH 3 do pasqyrohet forca e shqiptarëve kudo që ata janë. Kërkoj ndihmën e secilit prej jush, të çdo personaliteti kudo që ndodhet në botë për këtë. S’ka shembull më të mirë se forca e çdo shqiptari që shkëlqen në sferën ku ai punon. RTSH-ja është e hapur për ta dhe dora jonë është e shtrirë për të realizuar këtë ëndërr të kahershme të të gjithë shqiptarëve. RTSH- 3 do të jetë një kanal televiziv kushtuar vetëm diasporës”, theksoi Peza në mbyllje të fjalës së tij.