Një operacion i madh antidroge i kryer Guardia di Finanza e Brescias në Itali ka çuar në lëshimin e 61 urdhër-arresteve midis Shqipërisë, Italisë, Zvicrës dhe Polonisë, që synon trafikun ndërkombëtar të drogës, citojne mediat italiane.
Grupi dyshohet se ka pastruar fitimet e paligjshme nëpërmjet një sistemi “faturash për transaksione që nuk ekzistojnë”.
Gjatë hetimeve u sekuestruan 360 kilogramë drogë. Ndaj personave nën hetim janë lëshuar urdhra sekuestrimi, me qëllim konfiskimin në vlerë totale të mbi 60 milionë eurove.
Në veçanti, grupi kriminal, me qendër në Shqipëri dhe me degë në Itali, kishte importuar drogë nga Amerika e Jugut në Evropë nëpërmjet rrugëve tregtare të transportit dhe më pas do ta sillte në Itali nëpërmjet Spanjës dhe Holandës duke përdorur mjete të rënda.
Sasitë e mëdha të kokainës ishin ruajtur për shpërndarje të mëvonshme në 5 baza operacionale, të vendosura kryesisht midis Brescia, Romano di Lombardia dhe Palazzolo sull’Oglio dhe në komuna të tjera në Italinë qendrore-veriore si Varese dhe Piza.