Dronët autonomë që fluturojnë krah avionëve luftarakë të pilotuar nuk janë më ide shkencore, por realitet në testim.
Dhe ata nuk janë zhvilluar nga emra klasikë si Boeing apo Lockheed Martin.
Dronët e rinj të quajtur YFQ-44 dhe YFQ-42 janë produkt i kompanive më pak të njohura si Anduril Industries dhe General Atomics, të cilat po sfidojnë direkt dominimin e korporatave tradicionale në mbrojtje.
Ky përmbysje nuk është vetëm teknologjike, por edhe ekonomike.
Për herë të parë, firmat e reja teknologjike si Anduril, Palantir dhe Kratos Defense po hyjnë në listën e 100 firmave më të mëdha të mbrojtjes në botë, ndërsa të ardhurat e tyre po rriten me ritme të dyfishta.
Në vitin 2024, vetëm Anduril raportoi një rritje të konsiderueshme, duke u pozicionuar për herë të parë në Top 100.
Rritja e përdorimit të dronëve dhe inteligjencës artificiale në konfliktet reale – si në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme – po detyron ushtritë anembanë botës të ndryshojnë strategjitë.
Nga dronët e vegjël të Ukrainës që ndjekin objektiva me algoritme, te flotat e automatizuara të Rusisë dhe mjetet nënujore të zhvilluara nga SHBA-të, natyra e luftës ka hyrë në një epokë të re.
Ndërkohë, industria tradicionale nuk ka mbetur jashtë. Emra të mëdhenj si Lockheed Martin dhe Northrop Grumman vazhdojnë të mbajnë pozitat e para në listë, por presioni për të përshtatur teknologjinë është më i lartë se kurrë. Boeing, dikur në vend të dytë, ka rënë në vendin e shtatë, përballë krizave dhe konkurrencës në rritje.
Përveç SHBA-ve, edhe shtete të tjera si Gjermania, Izraeli dhe Mbretëria e Bashkuar po rritin ndjeshëm investimet në teknologji ushtarake.
Gjermania, përmes Rheinmetall, po ndërton fabrika të reja municionesh; Izraeli po forcon sistemet si Iron Dome; ndërsa BAE në Britani ka kaluar Boeing në renditje falë projekteve të avancuara detare dhe ajrore.
Në këtë peizazh të ri, software është bërë po aq i rëndësishëm sa hardware. Siç e tha drejtuesi i Anduril: “Fizika e fushëbetejës ka ndryshuar përgjithmonë. Për të projektuar fuqi, duhet shumë kapacitet kompjuterik i mbështetur në AI dhe sisteme autonome”.
Lufta e së ardhmes nuk do të fitohet vetëm me tanke apo avionë të mëdhenj, por me algoritme, sensore dhe dronë të mençur që reagojnë më shpejt se çdo komandant.
Dhe industria po përshtatet – ose po mbetet pas.