Qielli mbi Kiev u bë i kuq, mëngjesin e kësaj të hëne, kur një seri dronësh kamikazë sulmuan kryeqytetin, duke shënjestruar zona rezidenciale dhe infrastrukturë energjetike.
Të paktën 5 shpërthime u dëgjuan në Kiev, 1 javë pas breshërisë së raketave në atë që sipas Putin ishte një reprezalje për sulmin ndaj urës së Krimesë.
Kryebashkiaku Vitali Klitchko njoftoi se ishin dëmtuar godina banimi në zonën qendrore të Shevcenkivski. Shpërthime u raportuan edhe pranë stacionit kryesor të Kievit dhe autoritet u bënë thirrje qytetarëve të grumbulloheshin në vendstrehimet nëntokësore. Sipas autoriteteve, Rusia kishte përdorur dronë kamikazë të ofruara nga Irani.
Sistemet antiajrore të Kievit u aktivizuan për të rrëzuar dronët e në rrjetet sociale tregohet momenti i interceptimit të njërit prej tyre. Shpërthimet nisën rreth orën 6:30 me orën lokale, me të fundit që u regjistrua në 08:10. Dy ishin pranë qendrës së qytetit, me sirenat dhe alarmet e makinave që u dëgjuan rreth zonës. Por pavarësisht paralajmërimeve, rrugët ishin larg të qenit të boshatisura, me një sërë qytetarësh që vijuan me rutinën e tyre të përditshme.
Çfarë janë dronët kamikazë?
Armë të vogla ajrore, të njohura edhe si “predha endacake”, që shkatërrohen pasi godasin objektivin. Ndryshe nga dronët e tjerë, që kthehen në bazë pasi lëshojnë predhat, dronët kamikazë përdoren vetëm një herë.
Fjala kamikazë vjen nga pilotët japonezë gjatë Luftës II Botërore, të cilët përplasnin avionët e tyre në anijet armike gjatë misioneve.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë se ka përdorur edhe më parë dronë iranian.
Kjo është hera e parë që prej fillimit të luftës që Rusia shënjestron qendrën e Kievit dhe vjen pasi Putini deklaroi se nuk do të kishte më luftë në shkallë të gjerë në Ukrainë.