Mëngjesin e së shtunës më 20 gusht, shtabi i flotës ruse të Detit të Zi në rajonin e pushtuar të Krimesë u godit nga një sulm me dron.
Mikhail Razvozhayev, administratori i vendosur nga Moska i qytetit port të Sevastopolit, postoi në Telegram se droni u përplas në çatinë e ndërtesës dhe se nuk kishte viktima.
Një video që tregon një shtëllungë tymi mbi ndërtesë është postuar në rrjetet sociale.
Incidenti erdhi vetëm një ditë pasi Moska konfirmoi se zëvendës admirali Viktor Sokolov kishte marrë detyrën si komandant i flotës.
Ishte gjithashtu hera e dytë që shtabi i flotës ruse sulmohej nga një dron. Në fund të korrikut, Sevastopoli anuloi festimet për Ditën e Marinës së Rusisë pasi një bombë e hedhur nga një dron plagosi gjashtë persona.
Në prill, anija kryesore e flotës ruse të Detit të Zi, kryqëzori raketor Moskva, u mbyt pranë Krimesë. Rusia tha se një shpërthim municioni shkaktoi dëmin që fundosi anijen, ndërsa Ukraina pretendoi se e kishte fundosur anijen me një sulm raketash.
Më 9 gusht, një bazë ajrore ushtarake ruse në Krime u trondit nga disa shpërthime që shkatërruan të paktën nëntë avionë ushtarakë. Agjencia gjermane e lajmeve DPA më 19 gusht, duke cituar zyrtarë ushtarakë perëndimorë tha se sulmi në bazën ajrore Saky kishte nxjerrë jashtë funksionit më shumë se gjysmën e avionëve të Flotës së Detit të Zi dhe e detyroi flotën të ndërmerrte një pozicion mbrojtës.
Më 19 gusht, mbrojtja ajrore ruse u aktivizua në qytetin lindor të Kerçit, i cili është fundi i urës së Krimesë (e quajtur edhe Ura e ngushticës së Kerçit), një projekt i profilit të lartë, me 4 miliardë dollarë të shpenzuar për të lidhur rajonin e pushtuar ukrainas me atë territorin rus. Nga incidenti nuk u raportua për dëme në urë apo në qytet./REL