Yjet më të njohur të botës së modës dhe showbiz-it u shfaqën me shkëlqim në darkën e Harper’s Bazaar Icons në New York City të hënën mbrëma.
Dua Lipa dhe Laura Harrier ishin ndër të famshmet që tërhoqën më shumë vëmendje me pamjet e tyre të guximshme dhe të sofistikuara.
Dua, 30 vjeçe, shkëlqeu me një fustan të zi elegant me tassel, që zbulonte fizikun e saj të tonifikuar, shkruan DailyMail.
Veshja me korse nudo u kombinua në mënyrë të thjeshtë, por luksoze, me bizhuteri argjendi Bvlgari dhe këpucë të zeza elegante.
Ndërkohë, Laura Harriere, 35 vjeçe, zgjodhi një fustan të shkurtë transparent që i linte pak vend imagjinatës, të kompletuar me taka me rripa dhe një çantë të vogël, duke e bërë pamjen e saj një ndër më të komentuarat e mbrëmjes.

Ngjyrat e forta dhe stili ekstravagant dominuan edhe në zgjedhjet e tjera të të ftuarve. Tessa Thompson mahniti me një fustan të kuq dramatik, të plotësuar me një kapelë me strehë të gjerë, ndërsa Tracee Ellis Ross solli një moment të vërtetë haute couture me fustanin jeshil smerald të kombinuar me geta transparente dhe një gjerdan të madh argjendi.
Mbrëmja për Dua Lipën erdhi në një moment të veçantë të jetës së saj personale. Këngëtarja shqiptare dhe i fejuari i saj, aktori britanik Callum Turner, janë në kërkim të një rezidence luksoze që kushton deri në 9 milionë funte (afërsisht 10.4 milionë euro), në zona si Marbella apo Andalucia.

Vetëm disa muaj më parë, Dua konfirmoi fejesën me Callumin, ndërsa tani çifti po planifikon jo vetëm martesën, por edhe sipërmarrje të përbashkëta profesionale.
Së fundmi, ata kanë themeluar kompaninë “TwentyTwo Films Limited”, duke hyrë në prodhimin e filmave si partnerë të barabartë.
Një burim i afërt me çiftin ka treguar se ata janë ambiciozë dhe plot ide për projekte të reja, duke e forcuar lidhjen e tyre jo vetëm në planin personal, por edhe në atë profesional.