Babai i vrasësit të Sabina Nessa i është lutur djalit të tij të rrëfejë se përse e kreu vrasjen. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në shtator të vitit 2021 në Britani, kur 28-vjeçarja Sabina Nessa u gjet e vrarë në lindje të Londrës. Në trupin e saj u gjetën shenja dhune dhe mbytjeje. Për vrasjen e 28-vjeçares është dënuar me burgim të përjetshëm shqiptari Koçi Selamaj.
“The Mirror”, shkruan se i ati i të dënuarit, 71-vjeçari Bashkim Selamaj, ka udhëtuar për herë të dytë drejt burgut ku djali i tij vuan dënimin për t’i kërkuar atij të tregojë se përse e ka bërë vrasjen, por ky i fundit ka refuzuar të dalë nga qelia për të takuar babain.
Koçi Selamaj, 36 vjeç, ka ndërprerë kontaktet me familjarët e tij dhe vuan dënimin me burg të përjetshëm pasi mbyti me një trekëndësh rreziku mësuesen 28-vjeçare.
12 muaj pas vrasjes ish-punëtori i çelikut tregon nga shtëpia e tij në Elbasan se djali i tij është ndier i turpëruar për ta takuar.
“Koçi ka karakter të fortë. Ai e ka kuptuar se çfarë ka bërë dhe i vjen turp nga vetja. Turpi e bën atë mos të më takojë mua apo motrën e tij, e cila gjithashtu ka tentuar ta takojë. Ai nuk do të më thotë se pse e vrau atë vajzë. Unë dua ta dëgjoj nga ai se pse e bëri”, është shprehur i ati i të dënuarit.
Koçi e ka pranuar se e ka kryer vrasjen e Sabinës në Cator Park Kidbrooke.
Natën e krimit, Koçi kishte rezervuar një dhomë në Grand Hotel me shpresën se do kalonte natën me gruan e tij, e cila dyshohet se ishta larguar nga ai dhe punonte shërbyese në hotel. Stafi kishte ndier se diçka nuk po shkonte dhe pas një mosmarrëveshje për pagesën kishte thirrur policinë.