Me mijëra vetë mbushën njërin prej shesheve kryesore të Bukureshtit në një tubim gjigant kundër korrupsionit në vend.
Protestuesit u mblodhën përpara ndërtesës së qeverisë rumune në Piata Victoriei për të kërkuar reforma urgjente në sistemin e drejtësisë. Protesta u nxit nga një investigim i faqes së lajmeve Recorder, në të cilin disa magjistratë aktualë dhe ish-magjistratë rrëfenin presionet brenda gjyqësorit që kanë çuar në shtyrjen e çështjeve madhore të korrupsionit.
Protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryetares së Gjykatës së Kasacionit, Lia Savonea, të drejtuesve të Drejtorisë Kombëtare Antikorrupsion, të ministrit të Brendshëm Catalin Predoiu dhe të ministrit të Drejtësisë Radu Marinescu. Ata insistojnë po ashtu për ndryshime ligjore të cilat të mbyllin boshllëqet që lejojnë vonimin e proceseve gjyqësore deri në skadimin e afatit të parashkrimit të padisë.
“Nuk është e mundur që pas një kohe kaq të gjatë kur ne, si brezi më i pjekur që e bëmë këtë vend, e çuam në Evropë, kishim miq që u vranë gjatë revolucionit, tani të kthehemi përsëri në Rusi. Europa është shtëpia jonë, jemi thellësisht të nderuar që jemi pjesë e saj. Ishte lufta jonë për të arritur këtu. Rumania nuk ka qenë kurrë më e begatë dhe më e bukur sesa është brenda Europës“-shprehet shkrimtarja Ioana Nicolaie.
“Rumunët janë injoruar nga klasa politike për një kohë shumë të gjatë. Ka pasur shumë korrupsion; populli e ka humbur besimin te politikanët – dhe me të drejtë. Tani, njerëzit duan të hakmerren ndaj sistemit, dhe për fat të keq, mënyra më e lehtë për ta bërë këtë duket të jetë e ashtuquajtura parti anti-sistem. Por kjo parti nuk është vërtet anti-sistem – ata janë qartësisht një me sistemin, edhe pse nuk duken të tillë“-tha studenti Sebastian Panduru.
Protesta filloi me thirrjet në mbështetje të gjyqtares Raluca Moroșanu nga Gjykata e Apelit në Bukureësht, e cila kishte konfirmuar më herët në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp gjithcka që kolegu i saj, Laurențiu Beșu, i kishte thënë Recorder-it për parregullsitë në sistemin gjyqësor.
“Drejtësi, jo korrupsion”, “Polici kudo, drejtësi askund”, “Magjistratë të pavarur, jo të bindur” ishin disa nga sloganet që përsërisnin demonstruesit. Ata insistojnë që Presidenti të mbajë një qëndrim të fortë ndaj problemeve të zbuluara brenda gjyqësorit. Protesta u mbajtën edhe në Iași dhe Cluj-Napoca.




