“Duhet të identifikojmë rrjetet kriminale ku janë të përfshirë shqiptarët”- Balla takim me prokurorin italian të Antimafias! Ja çfarë u diskutua

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla është takuar me drejtuesin e Prokurorisë Kombëtare Antimafia dhe Kundër Terrorizmit, Giovanni Melillo në Itali gjatë vizitës së tij në Romë.

Gjatë takimit, palët kanë rënë dakord për detajimin e një memorandumi për evidentimin e grupeve kriminale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

“Na duhet të identifikojmë rrjete kriminale, ku janë të përfshirë shtetas shqiptarë të trafikut ndërkombëtar të drogës kryesisht nga Amerika Latine drejtë Europës, por dhe mënyrën sesi përfshihen grupet kriminale shqiptare në rrjetet e trafikut të narkotikëve në Europë, me parimin e ndjekjes së parasë për të kuptuar sesi parat e përfituara nga trafiqet investohen tashmë edhe në vende të tjera”, tha ministri Balla pas takimit në një deklaratë për mediat.

Ministri i Brendshëm u shpreh se eksperienca e Prokurorisë Kombëtare Antimafia do t’i shërbejë palës shqiptare sa i përket negocimit të një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara, për ekstradimin e personave të kërkuar nga drejtësia.

“Memorandumi i bashkëpunimit midis dy vendeve tona synon pikërisht krijimin e një harte, do ta quaja unë, të aktiviteteve të grupeve kriminale me qëllim goditjen e tyre dhe në këtë aspekt nuk duhet të mbetet jashtë vëmendjes një element tjetër, pra kjo është një prokurori kombëtare edhe sa i përket antiterrorizmit ku i ka kaluar edhe përgjegjësia e luftës kundër krimeve kibernetike”, theksoi Balla.

Gjatë takimit u diskutua edhe lidhur  me të ardhurat e krijuara nga aktivitetet kriminale.

“Kemi diskutuar në mënyrë të detajuar për eksperiencën tepër të rëndësishme që ka Italia, në mënyrën e administrimit të pronave të sekuestruara dhe të konfiskuara, kryesisht nga mafia, por edhe nga aktivitete të tjera të paligjshme. Kështu që mendoj, sikurse Italia ka bërë në këtë drejtim, edhe Shqipëria nuk ka se pse të shpikë një model të vetin. Por gjëja e parë është, asnjë prej këtyre pasurive nuk mund të shitet apo të nxirret në privatizim sepse rreziku është gjithmonë eminent që këto prona të rikthehen te ish-poseduesit e tyre”, tha ministri.

Share This Article