Kreu i Partisë Agrare Ambientalise, Agron Duka u shpreh në News 24 se ka arritur një marrëveshje me kreun e PD-së Lulzim Basha, ku do të hyjë në listat e PD-së në zgjedhjet e 25 prillit.
“Nuk është se e kam pasur të lehtë, ka qenë vendim shumë i vështirë. Ndoshta unë e shoh me subjektivizëm, apo anëtarët e PPA-së, kemi diskutuar nëse duhet ta pranojmë apo jo. Që të kemi vetëm një vend të sigurt në lista, sepse këto lista janë të mbyllura faktikisht”, tha ai.
Deklarata e Dukës:
Nëse nuk do të ishin të mbyllura pse bëhet gjithë ky seher? Na dhanë një, na dhanë dy. Prandaj bëhet, pasi nëse je jashtë listët fituese sa është mesatarja, rreth 10 mijë vota më duket, që nuk ka asnjë mundësi për t’i marrë, parashikoj që në të gjithë Shqipërinë kjo të ndodhi në një apo dy raste. Dhe nëse ndodh në këto raste, për mua nuk ka ndryshuar asgjë, gjykoj që ka për të qenë shumë e vështirë. Nëse unë dal vet me stemën e PPA ndoshta mund të mbledh 10 mijë vota, sepse mënyrën për t’i vjel këto vota e kam më të thjeshtë, se sa duke qenë veç një emër në listën e përbashkët, që është listë koalicioni. Por në një farë mënyrë fshihet sigla e partisë. Nuk e dimë akoma se si do dal, me emra apo sigël partie, apo me numër. Të gjitha këto na fusin në një qorr sokak. Dhe me një vendim shumë të vështirë për të marrë për partitë e vogla. Ju e dini që ky kod u bë pikërisht këtyre partive të vogla. Të më pyesësh mua absolutisht që do të kishim dëshirë që të kandidonim me siglën e PAA, por në këtë mënyrë pa komisionerë, pa numërues, me një numër kaq të madh votash për të nxjerrë një deputet është pothuajse e pamundur, ose shumë-shumë e vështirë. Prandaj ne morëm këtë vendim.