Kreu i SPAK, Altin Dumani, konfirmoi gjatë fjalës së tij në Kuvend se krimi i organizuar shqiptar bashkëpunon ngushtë me grupet e krimit në Serbi dhe Mal të Zi, kryesisht në trafikimin e kokainës.
Ai theksoi se kjo është pjesë e një bashkëpunimi ndërkombëtar për luftën kundër krimit të organizuar, dhe se SPAK ka rritur nivelin e bashkëpunimit me autoritetet ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke përfshirë FBI-në dhe Departamentin e Drejtësisë.
“Vizita dhe takimi në Departamentin e Shtetit ka qenë një nga më të mirat që kam realizuar dhe kam takuar disa përfaqësues të lartë të departamentit të Shtetit, si përfaqësues të FBI, apo dhe të Departamentit të Drejtësisë. Se çfarë është biseduar në këto takime ne kemi bërë një komunikim me median dhe s’mund të them asgjë më shumë se ajo që është thënë në media. Është vlerësuar bashkëpunimi i SPAK me autoritete ligj zbatuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe luftës kundër krimit transaksional, luftën kundër narkotikëve dhe veprave të tjera penale. Por kjo nuk ka të bëj fare me vizitën time në Mal të Zi”, theksoi Dumani.
Ai shtoi se bashkëpunimi me prokuroritë e Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ka qenë shumë i suksesshëm, duke përfshirë hetime të përbashkëta dhe shkëmbim informacioni. Kjo është bërë e mundur përmes marrëveshjeve bilaterale, që përfshijnë hetime dhe veprime të koordinuara për të luftuar krimin e organizuar.
“Kemi një bashkëpunim shumë të mirë, të shkëlqyer do ta quaja me prokurorinë e Malit të Zi, me Prokurorinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Maqedonisë së Veriut, ku këto dy të fundit hetime të përbashkëta, skuadra të përbashkëta hetimore, hetime paralele, shkëmbime informacioni . Me Malin e Zi kemi një bashkëpunim të mirë me hetime paralele dhe shkëmbim informacioni dhe kemi marrëveshje e cila ndihmon bashkëpunimin mes nesh dhe Malit të Zi. Krimi i organizuar shqiptar bashkëpunon me krimin në Mal të Zi dhe me atë serb dhe mënyra më e mirë për ta luftuar është bashkëpunimi. Sa i takon vizitës se kryeprokurorit të posaçëm serb edhe kjo ishte një nevojë për të bashkëpunuar sepse para këtij takimi bashkëpunimi ishte sporadik, ishte nevojë sepse krimi i organizuar shqiptarë bashkëpunon me atë serb për trafikimin e kokainës. Kemi vendosur bashkëpunim konkret për luftën kundër krimit të organizuar”, tha ai




