Në një ceremoni të mbajtur në Prokurorinë e Posaçme, Altin Dumani i dorëzoi detyrën e kryetarit të SPAK-ut Klodian Brahos, i cili u emërua me 7 vota të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Braho do të udhëheqë SPAK-un për tre vitet e ardhshme dhe ka një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në sistemin e drejtësisë shqiptare, duke trajtuar disa çështje të rëndësishme me ndikim të gjerë publik.
Pas marrjes së detyrës, Klodian Braho vlerësoi paraardhësin e tij, Altin Dumanin, për “guximin dhe integritetin e tij”, duke theksuar se “misioni i SPAK shkon përtej mandateve individuale dhe do të punojmë krah për krah për të përmbushur detyrat e rëndësishme që na janë ngarkuar.”
“Së pari, falënderoj Këshillin e Lartë të Prokurorisë për besimin që më dhatë. Marrja e detyrës është një angazhim i madh për të respektuar ligjin, për të ruajtur pavarësinë e SPAK dhe për ta forcuar më tej besimin e qytetarëve në këtë institucion. SPAK do të vazhdojë të forcohet si një strukturë e qëndrueshme dhe profesionale në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Falenderoj paraardhësin në detyrë z.Kraja për vendosjen e gurëve të parë në institucion për të marrë formën që ka sot si dhe Dumain për guximin dhe integritetin duke përforcuar figurën e SPAK”, tha Braho.
Ai shtoi se një nga fokuset kryesore të tij do të jetë forcimi i funksionimit të brendshëm të SPAK-ut, për të garantuar hetime të pavarura dhe të drejta. Braho theksoi se nën drejtimin e tij, SPAK do të vazhdojë të mbrojë integritetin dhe të angazhohet për të siguruar drejtësi për qytetarët shqiptarë.
“Në ushtrimin e detyrës fokusi im do të mbetet forcimi i funksionimit të brendshëm, respektimi rigoroz i standardeve ligjore dhe garantimi i pavarësisë së prokurorëve të posaçëm në ushtrimin e detyrës. BKH dhe sektori i hetimit financiar janë shtylla të rëndësishme të SPAK, bashkëpunimi i ngushtë bazuar në besimin reciprok mes prokurorëve dhe hetuesve do të vazhdojë të forcohet duke synuar hetime më cilësore dhe rezultate konkrete”, tha Braho.
Gjatë fjalës përshëndetëse, Altin Dumani vlerësoi ecurinë e institucionit dhe kintegritetit të tij pavarësisht presioneve dhe sfidave të hasura.
“Sot mbyllet një kapitull që ka qenë ndër më sfiduesit e karrierës sime. Drejtimi i SPAK ka qenë një privilegj i madh, por edhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Gjatë këtij mandati, jemi ndeshur me sfida të mëdha dhe presione të shumta, por sot SPAK është më i fortë, më i besueshëm dhe i konsoliduar se kurrë më parë, falë punës së palodhur të çdo punonjësi,” u shpreh Dumani.
Dumani falënderuar gjithashtu partnerët ndërkombëtarë që kanë mbështetur SPAK-un në çdo hap të rrugëtimit të tij, duke e quajtur kontributin e tyre të paçmuar për rritjen e kapaciteteve dhe ngritjen e standardeve të punës.
“I uroj sukses z. Braho në detyrën e re,” përfundoi Dumani.




