Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin “CLEANING 3”, pas hetimeve të kryera me metoda speciale në bashkëpunim me Prokurorinë. Në pranga ranë 12 persona, mes tyre edhe organizatori i dyshuar i grupit, ndërsa një tjetër shtetas është shpallur në kërkim.
Operacioni erdhi si vijim i hetimeve të “CLEANING 1” dhe “CLEANING 2”, që kishin zbuluar shpërndarje droge pranë gjimnazeve të qytetit. Policia ka dokumentuar veprimtarinë e një rrjeti tjetër, i cili furnizonte dhe shpërndante lëndë narkotike në zona pranë shkollave.
Mes të arrestuarve është F. A., 30 vjeç, i dyshuar si drejtues i grupit dhe i akuzuar për një sërë veprash, përfshirë prodhim dhe shitje narkotikësh, kontrabandë mallrash dhe armëmbajtje pa leje.
Në pranga u vunë edhe 11 shtetas të tjerë të moshave 19-58 vjeç, ndërsa B. M. u shpall në kërkim.
Gjatë operacionit u sekuestruan: 180 doza kokainë, 620 doza kanabis, peshore elektronike, 16 telefona, armë të ftohta dhe fishekë luftarakë.
Njoftimi i plotë:
Durrës / Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme kundër veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Finalizohet operacioni policor i koduar “CLEANING 3”, i ndjekur me metoda speciale të hetimit nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit.
Vihen në pranga 12 shtetas, ndërmjet tyre edhe organizatori i grupit, dhe vijon puna për kapjen edhe të një shtetasi tjetër, pjesëtar i këtij grupi.
Sekuestrohet kokainë, kanabis, peshore elektronike, municion luftarak, armë të ftohta dhe 16 aparate celular.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, si dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcës së Posaçme Operacionale të kësaj Drejtorie, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “CLEANING 3”.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, mbi bazën e informacioneve policore, ka ndjekur me metoda speciale të hetimit procedimin penal nr. 880, i vitit 2025, ku si rezultat i hetimeve në kuadër të operacioneve policore të koduara “CLEANING 1” dhe “CLEANING 2” janë arrestuar disa shtetas për veprën penale “Shpërndarja e lëndëve narkotike”, në afërsi apo pranë shkollave në qytetin e Durrësit.
Në kuadër të këtij procedimi penal, në vijim të hetimeve dhe provave të siguruara, është bërë i mundur zbulimi, identifikimi dhe dokumentimi ligjor i veprimtarisë kriminale të personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Gjatë operacionit, shërbimet policore të DVP Durrës kanë ekzekutuar urdhër-arrestet e lëshuara nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me masë sigurie ”Arrest në burg”, për 12 shtetas të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, konkretisht:
F. A., 30 vjeç (i dyshuar si organizator). Në ngarkim të tij janë vendosur gjithashtu veprat penale: “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municioneve”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Kontrabanda me mallra me regjim të ndërmjetëm”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Moslëshimi i kuponit tatimor”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Punësimi i paligjshëm”.
B. O., 32 vjeç; A. P., 24 vjeç; E. Sh., 19 vjeç; T. D., 36 vjeç; F. C., 31 vjeç; G. K., 27 vjeç; I. H., 35 vjeç; S. Sh., 58 vjeç; I. D., 38 vjeç; dhe shtetasit M. K., 29 vjeç, dhe V. Sh., 20 vjeç, në ngarkim të të dyve është vendosur edhe vepra penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Si dhe është shpallur në kërkim shtetasi B. M., me masë sigurie “Arrest në burg”, dhe vijon puna për kapjen e tij.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 180 doza kokainë me peshë totale 100 gramë; 620 doza lëndë narkotike marijuanë me peshë totale 1.25 kilogramë; 2 peshore elektronike; 16 telefona celularë; 3 armë të ftohta (thika); 1 përforcues grushti dhe fishekë luftarakë.
Nga hetimet dhe provat e siguruara rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitetin e paligjshëm të shpërndarjes dhe shitjes së lëndëve narkotike në afërsi apo pranë shkollave (gjimnazeve) të qytetit të Durrësit.
Materialet procedurale, në ngarkim të personave të mësipërm, do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore dhe procedurale.




